Site icon PrishtinaPress

Mero Baze: Majlinda, Rita, Graniti, Xherdani po e bëjnë Kosovën, ne në Shqipëri po qurravitemi

Sipas tij, rasti kur një sportiste e talentuar, që i ka venë vetes objektiv të jetë kampione bote dhe po bëhet, është një histori personale suksesi, nga ato që trondisin botën dhe nuk ka lidhje me shtetin apo kombin që i përket.
Majlinda katër vite më parë ka garuar me flamurin e Shqipërisë pasi nuk e pranonin Kosovën dhe tani po garon me flamurin e Kosovës.
Analisti i njohur nga Shqipëria, Mero Baze, përmes një opinioni ka kritikuar ata shqiptarë të Shqipërisë që nuk i janë gëzuar suksesit të Majlinda Kelmendit vizave Kosovës në Rio2016.
Baze me këtë rast kritikon ashpër sistemin politik në Shqipëri që nuk ka mundur të krijoj Majlinda, Rita Ora, Xherdan Shaqira, Granit Xhaka, etj.
Sipas tij, rasti kur një sportiste e talentuar, që i ka venë vetes objektiv të jetë kampione bote dhe po bëhet, është një histori personale suksesi, nga ato që trondisin botën dhe nuk ka lidhje me shtetin apo kombin që i përket. Majlinda katër vite më parë ka garuar me flamurin e Shqipërisë pasi nuk e pranonin Kosovën dhe tani po garon me flamurin e Kosovës, transmeton lajmi.net.
Baze përmend edhe sportistët nga Shqipëria që ia kthyen shpinën atdheut. “Ajo që të bën për të vjellë në këtë histori, është se shumë shqiptarë të Shqipërisë, janë duke luajtur në ekipet olimpike të shteteve të tjera ku kanë ikur emigrantë, nga Bullgaria e deri në SHBA, dhe askush nuk ua merr për të madhe. Dhe Pirro Dhimën që e patën sharë 20 e ca vite më parë kur fitoi medaljen e artë në emër të Greqisë, e kishin më shumë nga inati me grekët, se sa nga inati me Pirron, i cili u lind dhe rrit si kampion shqiptar”, thekson ai.
Lexojeni të plotë shkrimin e Mero Bazes:
Majlinda Kelmendi i ka dhënë Kosovës medaljen e parë në Lojërat Olimpike në Rio, dhe ka ngjallur ndërkohë një debat idiot mbi identitetin kombëtar të saj dhe flamurin e Kosovës.
Si gjithmonë, keqkuptimi nis nga fakti se në Kosovë i marrin seriozisht budallenjtë e Shqipërisë dhe në Shqipëri marrin seriozisht inferiorietin e ndonjë shqiptari të Kosovës, ndaj Tiranës.
Por kjo që po ndodh me Majlinda Kelmendin është më shumë se teprim.
Rasti kur një sportiste e talentuar, që i ka venë vetes objektiv të jetë kampione bote dhe po bëhet, është një histori personale suksesi, nga ato që trondisin botën dhe nuk ka lidhje me shtetin apo kombin që i përket. Majlinda katër vite më parë ka garuar me flamurin e Shqipërisë pasi nuk e pranonin Kosovën dhe tani po garon me flamurin e Kosovës.
Por Majlinda nuk është rasti që është bërë sportiste nga Kosova apo Shqipëria. Nuk e ka bërë Kosova të njohur Majlindën. Është Majlinda që po bën të njohur Kosovën! Majlinda po e njeh Kosovën në botë, më shumë se sa kanë bërë vetë qeveritë e Kosovës prej vitit 1999 e deri më sot. Ajo ka zgjedhur të bëhet kampione, dhe jo të bëjë politikë me flamuj. Shoqëritë e zhvilluara pranohen si shtete atëherë kur kanë një sistem të pranueshëm vlerash, dhe Kosova po dëshmon se përmes brezit të ri të saj, po imponohet me vlera botërore. Sot Kosova është e njohur nga Rita Ora, nga kandidatët për Oskar në filmin “Shok”, nga futbollistët e talentuar, nga Majlinda Kelmendi dhe brezi i saj. Një shoqëri e tillë meriton të ketë shtetin e vet, dhe janë ata që e bëjnë shtetin, dhe jo shteti ata.
Ajo që të bën për të vjellë në këtë histori, është se shumë shqiptarë të Shqipërisë, janë duke luajtur në ekipet olimpike të shteteve të tjera ku kanë ikur emigrantë, nga Bullgaria e deri në SHBA, dhe askush nuk ua merr për të madhe. Dhe Pirro Dhimën që e patën sharë 20 e ca vite më parë kur fitoi medaljen e artë në emër të Greqisë, e kishin më shumë nga inati me grekët, se sa nga inati me Pirron, i cili u lind dhe rrit si kampion shqiptar.
Dhe kjo shoqëri e cila është liberale për sportistët e vet të shpërndarë “si zogjtë e korbit” nëpër botë, nuk ka asnjë të drejtë të jetë xheloze apo paternaliste ndaj një vlere si Majlinda Kelmendi, e cila nuk ia di për nder as shtetit shqiptar, as atij të Kosovës, për talentin dhe punën e saj. Ajo është një kampione dhe kampionët zgjedhin, nuk përzgjidhen. Ajo ka zgjedhur Kosovën, se i përket Kosovës dhe ne duhet t’i jemi mirënjohëse 1000 herë që e bën këtë.
Por nëse vijmë tek debati që Lojërat Olimpike duhen përdorur politikisht, atëherë unë jam për anën tjetër të medaljes. Nëse do të kishim sportistë të talentuar nga Shqipëria, do të ishte mirë t’i transferonim tek ekipi i Kosovës, që ta përdornim politikisht në favor të Kosovës. Për fatin tonë të keq nuk kemi, pasi nuk dimë të kemi dhe këtu mbaron debati. Kur nuk kemi fuqi t’u japim diçka, duhet të heshtim së paku, kur ata ia dalin vetë. Dhe ia dalin t’i tregojnë botës se ia ka vlejtur t’i njohë si shtet. Qoftë dhe prej Majlindës, Ritës, Shaqirit, Xhakës, filmave dhe muzikës së brezit të ri. Janë ata që po bëjnë Kosovën dhe ne që po qurravitemi.

Exit mobile version