0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Merkel dhe Erdogan të preferuarit e kosovarëve, Putin pëlqehet te serbët e Kosovës

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan janë personalitetet më të preferuar te shqiptarët e Kosovës, kurse presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të pëlqehet nga serbët në vend.

Kështu thuhet në anketën vjetore mbi politikat ndërkombëtare dhe të dialogut Kosovë-Serbi, të prezantuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), shkruan Telegrafi.

“Udhëheqja e preferuar botërore qytetarëve kosovarë është kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel me rreth 66 për qind, kurse presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan renditet si udhëheqësi i dytë botëror i preferuar, me rreth 14 për qind. Brenda komunitetit serb, udhëheqësi i preferuar është dukshëm presidenti rus Vladimir Putin, me rreth 74 për qind”, thuhet në anketë.

Sipas PIPS, për sa i përket perceptimeve të kosovarëve për shtetet partnere, del se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë radhitur si partneri kryesor i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë radhitur si partneri kryesor i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shumica e të anketuarve, besojnë se Gjermania duhet të jetë partneri ekonomik i Kosovës. Vetëm rreth 3 për qind e respondentëve kanë deklaruar se i preferojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor si partnerë kryesorë ekonomikë të Kosovës”, thotë PIPS, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, qytetarët thonë se NATO-ja ka qenë organizata që më së shumti ka ndihmuar Kosovën.

“Rreth 70 për qind vlerësojnë se NATO është organizata ndërkombëtare që i ka ndihmuar Kosovës më së shumti nga viti 1999, duke lënë prapa Bashkimin Evropian me rreth 9 për qind”, thuhet në raport.

Të anketuarit thonë se, Rusia dhe Kina janë dy shtetet që me veprimet e tyre më së paku i kontribuojnë përpjekjeve botërore për paqe.

“Të pyetur se cilat shtete të mëdha sillen më së miri në raport me shtetet e tjera brenda sistemit ndërkombëtar, kështu duke i kontribuar më së shumti përpjekjeve për paqe në nivel botëror, të anketuarit kanë zgjedhur Gjermaninë në vendin e parë, SHBA-të në vendin e dytë dhe Britaninë e Madhe në vendin e tretë. Sipas të anketuarve, Kina dhe Federata Ruse janë dy shtetet që me veprimet e tyre më së paku i kontribuojnë përpjekjeve botërore për paqe”, përfundon raporti.

Anketa ofron të dhëna për perceptimet në raport me politikën ndërkombëtare dhe aktorët rajonalë dhe botëror, duke përfshirë shtetet dhe organizatat ndërkombëtare. /Telegrafi/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img