Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë shkaktuar 35 aksidente me fatalitet, ku kanë humbur jetën 40 persona. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës dërguar Radio Kosovës, thuhet se ka ulje të lehtë të aksidenteve por ka shtim të qarkullimit të veturave, për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve.
Ardhja e mërgimtarëve në Kosovë krijon një fluks të madh të qarkullimit të veturave dhe si rrjedhojë e kësaj, Policia e Kosovës kërkon nga vozitësit dhe këmbësorët që të respektojnë shenjat e trafikut rrugor.
Sipas Policisë së Kosovës, nga aksidentet në Kosovë vetëm në pjesën e parë të këtij viti, jetën e kanë humbur 40 persona.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, thotë për Radio Kosovën se faktori kryesor për aksidentet në trafik është vetë njeriu.
“Faktori njeri është faktori kryesor për aksidentet në trafik e sidomos në këto ditë pushimi,pastaj është faktori automjet dhe rrugët, që nuk janë bërë investime në infrastrukturë”, tha Dedaj.
Me ardhjen e diasporës, sidomos në muajt korrik, gusht, dhjetor e deri në mes të muajit janar, rrugëve në Kosovë u shtohen edhe rreth 50 mijë automjete, thotë Dedaj. E sipas kësaj edhe gjasat e rritjes për aksidente shtohen shumë. Sipas tij, ngritja e nivelit maksimal të prezencës së policisë në trafik, është më se e domosdoshme.
“Operativa duhet të ketë një program të caktuar, derisa për shembull për shpejtësinë e kufizuar duhet të shpërndajnë fletushka të ndryshme dhe të merren me metoda edukative”, shtoi ai.
Në përgjigje përmes postës elektronike Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, për të pasur një siguri më të madhe në trafik.
Do theksuar se vetëm në 24 orët e fundit Policia e Kosovës për shkeljet e rregullave në trafik ka shpërndarë 1889 tiketa me gjobë./rtk