Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, kërkoi që t’i jepet zgjidhje situatës në veri të Kosovës, të cilën e cilësoi si “marrëzi”.
Në fjalimin e tij para zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe qytetarëve të mbledhur në nder të tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ai theksoi se duhen mbajtur sa më shpejt zgjedhjet në veri.
“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më në dorën time, por të kosovarëve. Mendoj se autoritetet kanë bërë një gabim me zgjedhjen e katër kryetarëve të rinj”, tha Clinton.
“Duhet të përfitojnë nga momenti për ta ndalur këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur tension? Ata njerëz në ato komuna kanë nevojë për një qeverisje të denjë dhe qytetarët duhet të votojnë”, shtoi ish-presidenti amerikan.
Serbët lokalë në katër komunat në veri të Kosovës kishin bojkotuar zgjedhjet e mbajtura në prill, duke bërë që kryetarë në ato komuna me shumicë serbe të zgjedhen katër shqiptarë.
Tensionet në këto komuna janë ngritur që nga 26 maji, kur autoritetet kosovare ndihmuan kryetarët e rinj të hyjnë në objektet komunale. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës.
Clinton gjithashtu tha se është i bindur që SHBA-ja është “e angazhuar për lirinë, forcën dhe integritetin e Shqipërisë”, përkundër që nuk ka ndonjë rol në administratës aktuale të SHBA-së.
Të pranishëm në pritjen në nder të ish-presidentit Bill Clinton ishin përfaqësues të qeverisë shqiptare, ambasadorë të akredituar në Tiranë, përfaqësues të opozitës, pushtetit local, komuniteteve fetare.
Por, pjesë e kësaj ceremonie u bënë edhe disa të rinj dhe fëmijë kosovarë, që mbajnë emrin Clinton dhe të bashkëshortes së tij Hillary.
Ai u shpreh shumë i emocionuar nga falënderimet që mori gjatë ceremonisë, në të cilin u dekorua me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”.
“Jam pa fjalë. Mendoj që po të kisha një gjykim shumë të shëndoshë, nuk do të thosha asgjë. Jam me të vërtetë pa fjalë”, tha Clinton, në ditën e parë të qëndrimit të tij dyditor në Shqipëri me ftesë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Gjatë fjalimit të tij, Rama tha se ai vetë e ka pasur shembull Clintonin dhe e lavdëroi atë për rolin e tij në përfundimin e luftës në Kosovë.
Rama e quajti fjalimin e Clintonit në mars të vitit 1999, kur lajmëroi për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, “një tjetër perlë” dhe tha se ai fjalim ishte “për historinë e Kosovës dhe rajonin tonë, një gur përcaktues i rrugës të së ardhmes”.
Ai gjithashtu theksoi disa nga ndihmat që SHBA-ja, gjatë administratës së Clintonit, ia dha Shqipërisë të sapodalë nga regjimi komunist.
Kjo është vizita e parë e Bill Clintonit në Tiranë, ndërkaq 11 vjet më parë Shqipërinë e vizitoi bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, që atëbotë mbante postin e sekretares së Shtetit.
Clinton ishte president i SHBA-së në kohën kur po zhvillohej lufta në Kosovë dhe ai luajti rol kyç që NATO të niste bombardimet ndaj caqeve serbe, që çuan në çlirimin e Kosovës.
Atëbotë, Clinton kishte deklaruar se vendimi për nisjen e bombardimeve ishte marr për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga regjimi i liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Clinton ka vizituar për herë të parë Kosovën në maj të vitit 1999. Ai po ashtu qëndroi në Kosovë më 2009 dhe 2019. Në vizitën e tij të fundit, ai ishte i shoqëruar me ish-sekretaren e ndjerë amerikane, Madeleine Albright. Ata morën pjesë në ceremonitë e mbajtura për 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që shënohet si Dita e Çlirimit.
Trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999, pas fushatës ajrore të aleancës kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi që zgjati 78 ditë.