Jorge Mendes e ndërpreu bashkëpunimin me Cristiano Ronaldon para disa muajsh para se ylli portugez të përfundonte në Al-Nassr.
Sidoqoftë, njëri prej menaxherëve më të fortë në botën e futbollit ka vetëm fjalë të mira për “CR7”, me të cilin rrugëtoi bashkë në suksesin e jashtëzakonshëm të bashkëkombësit të tij.
“Cristiano është aty ku është, kështu e ka jeta. Është në Arabi dhe duhet të jemi të gjithë falënderues dhe mirënjohës ndaj Cristianos për gjithçka që ka bërë për futbollin dhe për Portugalinë. Është ambasadori më i madh i vendit”, deklaroi fillimisht Mendes.
“Do të jetë gjithmonë në zemrën time. Është një lojtar special dhe një person special për mua. Dhe, të gjithë portugezët duhet të jenë krenarë që e kanë pasur dhe që vazhdojnë ta kenë një lojtar si ai. Do ta them këtë për krejt jetën time, është lojtari më i mirë në histori të futbollit botëror”, vazhdoi menaxheri portugez, duke folur për ish-futbollistin e Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit.