Site icon PrishtinaPress

Memli Krasniqi viziton shkollën “Ali Asllani” në Doganaj të Kaçanikut, thotë se u harrua nga Qeveria Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bashkë me kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, kanë vizituar Shkollën Fillore “Ali Asllani” në fshatin Doganaj, nxënësit e mësimdhënësit e së cilës zhvillojnë mësimin në objekt të vjetër me kushte jashtëzakonisht të rënda, ndërsa objekti i ri i filluar vite më parë u harrua nga qeveria aktuale.

Në komunikatën e PDK-së, thuhet se në vitin 2019 është vënë gurthemeli për ndërtimin e objektit të ri të kësaj shkolle, i cili ka qenë i planifikuar të finalizohet në fund të vitit 2022, por punimet kanë ngecur nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti, e cila nuk ka ndarë asnjë cent për Komunën e Kaçanikut.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se është e papranueshme që një Qeveri, e cila duhet të ju shërbejë të gjithë qytetarëve, t’i penalizojë e t’i ndëshkojë qytetarët e komunave të caktuara.

“Qeveria e kryeministrit Albin Kurti, jo vetëm që nuk i ka ndarë asnjë euro tash e katër vite Komunës së Kaçanikut, por edhe ato projekte, të cilat kanë qenë të planifikuara, të buxhetuara e duke u zhvilluar, i ka ndaluar dhe i ka penguar që të realizohen. Shkolla Fillore në Doganaj është simptomatike për gjendjen e kësaj qeverie, sidomos për gjendjen në sektorin e arsimit. Ashtu siç i kemi parë rezultatet zhgënjyese të Testit PISA, e kemi prapa nesh edhe një fotografi të shkollës së mbetur përgjysmë, e cila është dashur të përfundoj qysh në vitin 2022, ndërsa në fund të vitit 2023 nuk ka as plane për të vazhduar tutje”, theksoi ai.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi tha se nxënësit e shkollës “Ali Asllani” janë të diskriminuar.

“Gurthemeli i kësaj shkolle është vendosur në vitin 2019 edhe sot punimet janë thuajse në fazën fillesatare që nga viti 2019, edhe pse kjo kontratë do të duhej të përfundonte në vitin 2022. Pra, ne jemi në fund të vitit 2023 dhe siç e shihni nxënësit e kësaj treve janë të diskriminuar, siç e pamë edhe më herët në ambientet e asaj shkollës tjetër se nuk ka kushte për mësim. Megjithatë, jemi në këtë situatë dhe e apelojmë Qeverinë e Kosovës që të mos i diskriminojë qytetarët”, tha Ilazi.

Drejtori i Shkollës Fillore “Ali Asllani”, Fitim Selmani tha se ndonëse kanë kërkuar direkt nga Ministria e Arsimit për vazhdimin e punimeve për përfundimin e objektit të ri, përgjigja ka qenë negative, prandaj 297 nxënësit e kësaj shkolle po detyrohen ta zhvillojnë mësimin në objektin e vjetër ku gjatë stinës së pranverës paraqiten krimba dhe insekte të ndryshme

Exit mobile version