”Dhuna qeveritare në mbrojtje të Radojçiqit”, e ka cilësuar përleshjen e sotme në Kuvendin e Kosovës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, duke fajësuar kështu për dhunë lëvizjen Vetëvendosje.
Krasniqi ka thënë se ”deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë ballafaquar me një orkestim të pastër nga ana e Qeverisë, që, fatkeqësisht, ishte i bazuar në sulme fizike dhe nxitje të dhunës”.
”Kjo tendencë e Qeverisë, duke i sulmuar në mënyrë të paprecedentë deputetët tanë, përveç dëshirës së tyre për të shtypur opozitën, në prapavijë ka edhe dy qëllime të tjera“, ka shkruar Krasniqi në Facebook teksa vazhdoi duke i përmendur këto dy prapavija.
”E para: Që përmes një skandali tjetër, të mbuloj dhe të tërheqë vëmendjen nga skandali më i madh politik në vendin tonë në të cilin janë përfshirë ata vet – koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Milan Radojçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës“.
”E dyta: Të mbuloj tërheqjen e turpshme e të fshehtë të Besnik Bislimit nga veriu i Kosovës – këtij “profesori” që provokoi, nisi dhe kontribuoi pareshtur në sulmet fizike të Qeverisë ndaj deputetëve tanë“, ka thënë ai.
Ai ka thënë se PDK-ja nuk do ta largojë vëmendjen nga tema kryesore e cila sipas tij ka vënë në panik këtë Qeveri, siç thotë ai ”bashkëpunimi i fshehtë me Milan Radojçiqin“.
”PDK nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht. Çfarë pazaresh ka bërë kjo Qeveri me Radojçiqin në emër të Kosovës? Çfarë ka dhënë dhe çfarë ka marrë kjo Qeveri nga Radojçiqi? Çfarë dëmi i është bërë Kosovës dhe qytetarëve tanë përmes kësaj marrëveshjeje e bashkëpunimi të fshehtë, duke rrezikuar edhe sigurinë kombëtare të vendit?“.
”Këto dhe të gjitha pyetjet tjera do të marrin përgjigje. Albin Kurti, Mimoza Kusari-Lila, Besnik Bislmi dhe të gjithë të tjerët që janë përfshirë në pazare të turpshme me Milan Radojçiqin, duhet dhe do të japin llogari para qytetarëve“.
”Një gjë është është e sigurt: Kjo Qeveri nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti për të qeverisur me vendin. Mandati duhet t’u kthehet qytetarëve sa më parë. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja që sjellin një Qeveri ndryshe – të përgjegjshme e të besueshme dhe që e rikthen rrugëtimin e vendit në kursin e integrimit euro-atlantik dhe pro-perëndimor“, ka thënë kryetari i PDK-së, të enjten.