Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përmbyllur fushatën elektorale të balotazhit të Zgjedhjeve Lokale në bastionin e kësaj partie, në Prizren.
Krasniqi është shprehur i lumtur për entuziazmin e madh që pa në këtë qytet në mbështetje të kandidatit të PDK-së Shaqir Totaj, në misionin e tij për t’ia kthyer perspektivën e gjallërinë Prizrenit dhe për të bashkëqeverisur me qytetarët e kësaj komune.
“Ditët e qeverisjes depresive në Prizren kanë marrë fund. Prizrenit po i vjen kryetari që i duhet, për ta rikthyer në binarë të zhvillimit e perspektivës. Shaqir Totaj do të punojë për qytetarët, për të rinjtë e të rejat, për ata që e duan këtë qytet me zemër, e që e duan një kryetar kompetent e të ndershëm, që qeverisë me dinjitet e integritet, për ta, për familjet e tyre, për të ardhmen e fëmijëve të tyre.”, tha Krasniqi.
Lideri i PDK-së theksoi se kjo parti Prizrenin nuk e ka parë vetëm si komunë, por si vend që i bën bashkë, në aktivitet qytetar, civil, shpirtëror, kulturor, historik e identitar.
“Siç kemi ditur të rreshtohemi fuqishëm në projektet e mëdha politike për Kosovën, tani po rreshtohemi fuqishëm së bashku, për Prizrenin dhe qytetarët e tij. Prandaj, të gjithë qytetarët e Prizrenit pa dallim, me 14 nëntor, do ta bëjnë dallimin e madh dhe rikthimin e duhur, për Prizrenin që na bashkon. Shaqir Totaj është shpresa e këtij qyteti, e pas 14 nëntorit, edhe adresa e parë e tij. Ndryshimi po vjen.”, përfundoi Krasniqi.