Site icon PrishtinaPress

Memli Krasniqi në krye të kabinetit për Qeverisje të Mirë, Deliu paralajmëron figura të reja

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për Kabinetin e Qeverisje së Mirë, duke shtuar se drejtues i saj do të jetë kryetari i partisë Memli Krasniqi.

Tutje, Deliu-Kodra tha se janë duke punuar që pjesë e Qeverisje së mirë të jenë figurat më kredibile, ekspert e prurje të reja brenda politikës kosovare.

Ajo shtoi se ky kabinet do të ketë një mekanizëm që do ta korrektojë Qeverinë në qasjen e saj të vakët për të siguruar funksionim të shtetit të Kosovës.

“Natyrisht që kryetari i partisë së PDK-së, Memli Krasniqi do të jetë në krye të kabinetit për Qeverisje të Mirë. Ne jemi duke punuar shumë që në kabinetin për qeverisje të mirë të jenë figurat më kredibile, ekspert, por edhe të kemi prurje të reja të cilat sjellin një frymë të re brenda politikës kosovare, por sjellin alternative për keq qeverisjen e cila po ndodh”.

“Poashtu sjellin edhe opsione të qarta për sfidat që nuk janë të pakta qoftë në arsim, shëndetësi, në rini, kulturë e politikë të jashtme ku kabineti i Qeverisjes së Mirë nuk do të jetë vetëm për të bërë opozitë, por do të jetë aty edhe për të siguruar alternativë që shteti të drejtohet dhe politikat që prekin qytetarët të jenë politika që në radhë të parë kanë miratim  të qeverisë e institucioneve të vendit. Unë mendoj që do të jetë një mekanizëm që do ta korrektojë Qeverinë në këtë qasjen e saj të vakët për të siguruar funksionim të shtetit të Kosovës. Do të ketë edhe ekspert të cilët nuk janë të fushë së politikës”, tha Deliu-Kodra.

PDK-ja në vazhdimësi ka hapur dyert për ekspert të ri e të reja, tha Deliu-Kodra, përderisa theksoi se ditëve në vazhdim do t’i bëjnë publik edhe emrat e Kabinetit për Qeverisje të Mirë.

“PDK-ja në vazhdimësi ka hapur dyert për ekspert të ri e të reja, por edhe për persona që kanë një ekspertizë në çështje të caktuara qoftë ata që vijnë nga jashtë për të ofruar gjithë alternativën e saj në mënyrë që kabineti për Qeverisje të Mirë të jetë alternativë e mirë e qytetarëve të Kosovës për probleme të shumta që ka vendi”.

“Emrat do të publikohen ditëve të vazhdim posa që PDK-ja të jetë e gatshme që të sigurojë që këta emra të figurojnë brenda listës dhe do të ofrojmë gjithë informacionet tona për përbërjen dhe gjithë atë që do të ofrojnë kabineti për qeverisje të mirë”, tha ajo.

Exit mobile version