Site icon PrishtinaPress

Memli Krasniqi: Ky është personi i vetëm që mund ta rrëzojë Qeverinë Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ftuar në emisionin “Desku” në KTV deklaroi se vetëm Albin Kurti mund të rrëzojë Qeverinë aktuale të Kosovës. Krasniqi tha se është për stabilitet institucional.

“Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm Albin Kurti, kjo është e qartë. Ose vota qytetare. Vetëm vota e tij mund ta rrëzojë atë. Ai ka shumicën në Kuvend. Rastet e tjera ku është votuar mosbesimi i Qeverisë kanë pasur kontekste të ndryshme. Parimisht, sipas bindjeve të mia personale apo politike, Kosova ka nevojë të ketë stabilitet institucional që nënkupton, shpresoj, një herë e përgjithmonë të fillojmë me mandate të rregullta që s’kemi pas asnjëherë. Ideja që sa herë të ndryshon diçka në skenën politike, me këqyr të ndërrojnë edhe Parlamentin e Qeverinë, për mua është problematike sepse na kthen në situatën e Italisë në të gjitha vitet e pasluftës”, deklaroi Krasniqi.

I pyetur për bashkëpunimin e mundshëm me kryeministrin Kurti, ai u shpreh se për tema nacionale tashmë e kanë dëshmuar se mund të bashkëpunojnë.

“Për çështjet të rëndësisë nacionale, që kanë të bëjnë me vendin tonë, ne e kemi dëshmuar që jemi të gatshëm me u taku, për të bashkëpunuar, siç është rasti i ndërhyrjes së paparalajmëruar dhe pakoordinuar në Veri”, vijoi ai.

Në emisionin “Desku” në KTV, Krasniqi foli edhe për “Demokratët për Drenasin”, një grupim politik i dalë nga PDK për të cilët tha se tashmë ata janë të lajmëruar.

Ndërsa, për deputetin Bekim Haxhiu, i cili doli në mbështetje të Bekim Jasharit për kryetar të Skenderajt që garonte me Fadil Nurën e PDK-së, Krasniqi tha se kjo do të trajtohet nga strukturat e brendshme të partisë.

“Ata që kanë dalë në parti tjera janë përjashtuar vetë, ndërsa ata që lëshojnë partinë e tyre dhe garojnë me një parti tjetër, normalisht që përjashtohen. Haxhiu nuk ka kandiduar. Kjo është çështje që do të trajtohet në organet e brendshme të PDK-së. Në krahë të Demokratëve të Drenasit ka pasur edhe tjerë të PDK-së që s’kanë garuar me ta. Unë po flas për pjesën formale të garimit. Njerëzit të cilët sot janë këtu dhe nesër dalin diku tjetër, është e drejtë absolute demokratike e garantuar, por në kuptimin e formalizimit të përkatësisë partiake e kanë formalizuar daljen nga PDK-ja. Kam marrë vendim në Kryesi të PDK-së, e kam emëruar një Kryesi të re në Drenas, gjë që ka dhënë afektet e veta pozitive”, tha Krasniqi.

Kryetari i PDK-së u ndal edhe për garën në Dragash, të cilën kandidati i partisë së tij e humbi vetëm pas numërimit të votave të diasporës.

Ai këmbëngul se votat janë të manipuluara por tha se mbetet që fjalën ta thotë PZAP, e nëse është e nevojshme edhe Gjykata Supreme.

“Për fat të keq, në Dragash është dëgjuar në dy-tre javët e fundit për një organizim të tillë dhe pastaj u verifikua nga dëshmitë evidente. Fletëvotimet janë të shtypura nga i njëjti vend, dorëshkrimi i njëjtë në të gjitha zarfet. Ka një paqartësi se si disa prej fletëvotimeve që janë nisur nga adresa të caktuara në Austri përmbajnë fletëvotime të qytetarëve që jetojnë në Gjermani apo gjetiu. Ka qenë një mënyrë e organizuar, e strukturuar, pa dashur që të komentojë mundësinë që edhe ata qytetarë kanë votuar me dëshirën e tyre. Problemi është që vota individuale dhe e fshehtë, sipas Kushtetutës, nuk mund të jetë e transferueshme. Kjo është shkelja që është evidentuar tani. Tani i mbetet PZAP-së, dhe në qoftë se është nevoja edhe Supremes që ta thotë verdiktin final”, u shpreh Krasniqi.

Exit mobile version