Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka takuar dje në New York, Alex Soros, djalin e filantropistit amerikan, George Soros, njëherit zëvendëskryetar i Fondacionit Shoqëria e Hapur.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se gjatë këtij takimi kanë diskutuar për situatën aktuale në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.
“Alexi është ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve në Ballkan dhe kontribues shumëvjeçar i proceseve të ndryshme për zhvillimin e shteteve dhe shoqërisë civile aktive. Bashkë diskutuam dhe shkëmbyem ide në lidhje me situatën aktuale në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi”, shkruan ai.
Krasniqi e ka falënderuar Sorosin për kontributin e vazhdueshëm në nxitjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkan.
“Vizioni ynë i përbashkët është një Kosovë e fuqishme dhe një Ballkan Perëndimor stabil, i integruar plotësisht në Bashkimin Evropian. Alexin e falënderova për pritjen, idetë dhe kontributin e vazhdueshëm në nxitjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkan”, është shprehur Krasniqi./Prishtinapress/