3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Memli Krasniqi: Bedri Hamza është kryeministri që i duhet sot Kosovës 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në hapje të Konventës së PDK-së, ka thënë se më shumë se një bashkim për partinë, kjo konventë është një zotim për një Kosovë më të mirë.

“Sonte, mbi vizionin për një Kosovë më të mirë, Partia Demokratike e Kosovës po e nisë një epokë të re. Si Kryetar i PDK-së, unë ju premtoj se do të udhëheqim me shembull. Ndryshimin do ta shihni në çdo vendim e çdo projekt që do të marrim përsipër. Në secilën sfidë që do ta trajtojmë. Kosova meriton një qeveri që i shërben, e mbron dhe e fuqizon popullin e vet, jo një qeveri që kërkon t’i shërbejë vetvetes, siç e ka bërë kjo e tanishmja për katër vite me radhë”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka thënë se me qeverisjen e Bedri Hamzës, nga ekonomia tek infrastruktura, nga arsimi tek shëndetësia, nga siguria te diplomacia, në secilën fushë, vizioni i PDK-së është i qartë: ma mirë.

“Për ta arritur këtë, secili prej nesh duhet të fillojë ndryshimin nga vetvetja. Si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, unë kam vendosur i pari që ta bëj këtë ndryshim.  Prandaj, me bindje të plotë e kam nominuar kandidat për Kryeministër Bedri Hamzën. Këtë e kam bërë për shumë arsye, por ua them një që i përmbledh të gjitha: Unë jam i bindur që Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund të ketë sot Kosova. Kosovën duhet ta bëjmë më të mirë”, ka thënë Krasniqi.

“Si dikush që ka punuar gjatë me Bedriun dhe e njeh mirë atë, unë ju siguroj se te Bedriu, Kosova nuk do të gjejë thjesht një Kryeministër, por një njeri të vendosur për ta bërë vendin tonë më të fortë, më krenar dhe më të mirë”, ka shtuar ai.

Në mesin e fjalimit të tij, Krasniqi është ndalur për të nderuar dy ish-kryetarët e PDK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, ku edhe u transmetua një video që përshkruan jo vetëm rrugëtimin e tyre, por edhe sukseset e Kosovës gjatë qeverisjes së PDK-së.

“E di dhe e kuptoj, që sikur mua, të dy ju mungojnë shumë secilit prej jush dhe mezi presim rikthimin e tyre pranë familjeve e miqve të shumtë. Por, deri atëherë, le t’ua bëjmë bashkë një premtim. Ëndrrat tuaja, të thurura në vizionin e partisë sonë për një Kosovë më të mirë, do t’i çojmë përpara: Partia Demokratike e Kosovës është gati për këtë detyrë”, ka thënë Krasniqi.

Në fund të fjalës së tij, Krasniqi ka thënë se historia e dashurisë dhe kontributit për Kosovën vazhdon me Partinë Demokratike të Kosovës, duke kërkuar nga secili qytetar që as të mos ndalet dhe as të dorëzohet në misionin për ta bërë Kosovën më të mirë.

“Partia Demokratike e Kosovës, përmes kurajës për ndryshim, do të ndërtojë një të ardhme që e nderon trashëgiminë tonë politike. E ajo e ardhme – është një e ardhme që sjell mundësi të reja dhe një jetë më të mirë për çdo familje në vendin tonë”, ka përfunduar ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img