Dje ka përfunduar intervistimi i ish-shefit të Policisë Ushtarake në Zonën Operative të Llapit, Nazif Mehmeti, nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Prishtinë. Avokati i Mehmetit ka bërë të ditur për “Zërin” se klienti i tij është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit
Për dy ditë radhazi është intervistuar nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Prishtinë ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, Nazif Mehmeti. Ai është intervistuar për krime të pretenduara të luftës.
Avokati Tahir Rrecaj, i cili mbron Mehmetin, ka thënë për gazetën “Zëri” se klienti i tij është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për kohën gjatë së cilës ka qenë në luftë. “Intervistimi ka shkuar mirë, ka përfunduar sot në orën 14:00. Forma e intervistimit ka qenë korrekte dhe ne u jemi përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë. Klienti im është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit”, ka deklaruar Rrecaj dje pas përfundimit të intervistimit.
Rrecaj ka thënë se duke u bazuar në pyetjet e Prokurorisë beson që do të pushojnë hetimet ndaj klientit të tij. “Nuk na kanë thënë asgjë, por në bazë të asaj që unë kam mundur ta vlerësoj në aspektin profesional besoj se nuk do të ketë aktakuzë kundër Mehmetit. Shpresoj që prokurori do ta pushojë hetimin kundër tij”, ka thënë tutje avokati Rrecaj.