Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti është takuar sot me Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Lisa Johnson, nga Byroja Ndërkombëtare për Luftën kundër Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit. Në takim është diskutuar për përpjekjet e vazhdueshme të partneritetit ndërmjet dy kombeve, por edhe për pilot-programin që policët e përzgjedhur të Kosoves të pajisen me kamera trupore, me synimin që në të ardhmen kjo të vlejë për të gjithë zyrtarët policorë.
Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit Johnson dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kanë diskutuar për progresin e sundimit të ligjit në Kosovë, sfidat e vazhdueshme dhe sukseset e fundit në luftën e prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve në rajon, korrupsionin dhe trendet tjera të krimit me të cilat ballafaqohet Kosova.
“Udhëheqësit gjithashtu diskutuan për pilot programin ardhshëm i cili do t’i pajisë policët e përzgjedhur të Kosovës me sisteme të kamerave për trup, me plan që viteve të ardhshme Policia e Kosovës plotësisht të pajiset me këso kamera”, thuhet në njoftim.
Drejtori Mehmeti ka thënë se takimi ilustron lidhjet dhe partneritetin e forës në mes komuniteteve për zbatim të ligjit në Kosovë dhe SHBA.
“Ky takim ishte jashtëzakonisht pozitiv, takim ky i cili edhe një herë ilustron lidhjet dhe partneritetin e fortë në mes komuniteteve për zbatimit të ligjit në Kosovë dhe SHBA. Së bashku, ne përsëri do i tregojmë botës fushat e ndryshme në profesionin e policisë në të cilat Policia e Kosovës vazhdon të zhvillohet dhe forcojë aftësitë e saj për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer të gjithë popullit të Kosovës. Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për ta forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tashmë fantastike ndërkombëtare me partnerët tanë globalë, veçanërisht me INL-in dhe ICITAP-in të cilëve ju jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme”, ka thënë drejtori i përgjithshëm Mehmeti në mbyllje të ngjarjes.
Vizita është përmbyllur me ceremoninë e nënshkrimit për dhurimin e sistemit të ri për komunikim të sigurt që do të përdoret nga hetuesit në terren.