Kryetari i degës së LVV’së në Skenderaj, Hysni Mehani me anë të një statusi në rrjetin social në facebook ka thënë se Mergim Lushtaku e dinë fort mirë se kush u bë kajtaxhi pas luftës dhe tash është milioner, jo vetëm por me krejt familjen, sipas tij këtë përveç Mergimit e dinë edhe qytetarët, shkruan rajoni.org.
Postimi i plotë i Mehanit në Facebook:
Vlerat tona, Mërgim Lushtaku dhe imperativi kategorik i Kantit
Në debate të nxehta, kur shoqëria fragmentarizohet, nën rrogoz importohen disa të pavërteta, i tillë ishte reagimi i mbrëmshëm i deputetit Mërgim Lushtaku dhe fajësimi i tij për zhvlerësimin traditës dhe vlerave tona.
Meqenëse jam rritur me një fshat vizavi fshatit ku është rritur deputeti Lushtaku, besoj që edhe deputeti duhet ta ketë dëgjuar thënien: “kajta e prishë burrin.” Besoj që deputeti Lushtaku e ka dëgjuar po ashtu thënien: “ruaju biro hakut të huaj.” Apo edhe thënien kantiane: “çka nuk ta kana me ta bë ty, mos ja bëj as ti dikujt tjetër.” Këto thënie unë i kam të dëgjuara nëpër oda, aty ku burrat kuvendonin me orë të tëra, e cimentohej ajo që deputeti e quan traditë dhe vlerë tonën.
Se kush i prishi këto vlera; deputeti Lushtaku e din shumë mirë. Se kush u bë kajtaxhi pas luftës dhe tash është milioner, e që besa janë milionerë me krejt familjen, këtë e dinë edhe qytetarët.
Se kush nuk u tutë prej hakut të huaj dhe se kush ka bë diçka që nuk kish dashtë me ja bë të tjerët njësoj, edhe këtë gjë e din z. Lushtaku por e dinë edhe qytetarët.
Kjo parimisht është edhe e pamundur, sepse që disa të bëhen milionerë, duhet të varfërohen me qindra mija të tjerë.
Sot, kanë ndërruar vlerat tona. Në fakt, i kanë ndërruar. Sot, ata që nuk kanë mundur të bëhen milionerë pas luftës, akuzohen se ishin frikacakë gjatë luftës. E meqenëse ishin frikacakë gjatë luftës, e meritojnë të jenë varfanjakë pas luftës.
Madje hipokrizia shkon aq larg, saqë akuzohesh se je xheloz ndaj suksesit që kanë treguar milionerët e pas luftës. Parimisht, kanë të drejtë, me u bë milioner me një rrogë, është sukses i padëgjuar më parë. Kjo madje i ka thyer ligjet e logjikës së shëndoshë.
Sigurisht që tema është e gjërë, e debati do të vazhdoj të ekzistojë edhe për shumë kohë.
Por kështu, nën rrogoz, me ambalazh të ri, bëhen gardianë të vlerave dhe traditës tonë, ata që i kanë rrënuar këto vlera me vite të tëra.
Dhe, pse është në titull imperativi kategorik i Kantit? Thjeshtë, sepse, pse, dhe, çfarë do të ndodhte me shoqërinë, vlerat dhe traditën tonë nëse të gjithë do të ndjeknim shembullin e deputetit “mbrojtës” të traditës dhe vlerave tona.
Dhe, nëse mendoni që i ika temës dhe kontekstit për të cilin ka folur z. Lushtaku, atëherë, shtroj një pyetje të vetme, si ka mundësi që z. Lushtaku vazhdon të jetë pjesë e në një partie kryetari i së cilës parti në cilësinë e presidentit vihej në krye të këtij organizmi që sipas z. Lushtaku po shkatërrojka traditën dhe vlerat tona? Ku ishte atëherë z. Lushtaku dhe si u bë që dikush që paska dashur të na i shkatërrojë vlerat dhe traditat tona, të bëhet idoli i tij politik?
Kaq për sinqeritetin ose hipokrizinë (vlerësojeni vetë) të z. Lushtaku në mbrojtjen e vlerave dhe traditës sonë.