Site icon PrishtinaPress

Mehaj tregon përbërjen e ekipit të FSK-së që u nisen për Turqi

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se tashmë është nisur kontingjenti i FSK-së në operacionin e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.

Mehaj bëri të ditur se Task-forca përbëhet nga specialistët e FSK-së të kërkim-shpëtimit urban, mjekësi emergjente dhe njësitë K9.

“Pas konsultave me Gjeneral Jasharin, kontakteve direkte gjatë tërë ditës me homologun tim turk, Ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar, vendimin e kryeministrit Kurti dhe autorizimit nga ana e Presidentes Osmani, nisëm kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacionin humanitar në Turqi për reagim me rastin e tërmetit të sotëm”, ka shkruar Mehaj, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

Tutje, i pari i Mbrojtjes tha se varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim, FSK do të shtojë kapacitetet për reagim, kërkim-shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit.

“Republika e Kosovës ka ushtrinë profesionale me moral të lartë për të qenë në shërbim të vendit dhe vendeve e popujve miq kudo dhe kurdo që shfaqet nevoja”, tha ai.

Kujtojmë se ekipe të kërkim-shpëtimit drejt Turqisë ka nisur edhe Shqipëria, ndërsa presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan, ka shpallur 1 javë ditë zie kombëtare pas tërmetit.

Exit mobile version