Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është shprehur se ditëve të fundit ka inskenime dhe incidente në veri të vendit e komuna të tjera, ku po digjen pronat, automjetet dhe po kërcënohen serbët që sipas tij duan të integrohen në institucionet e vendit.
Mehaj tha se këto sulme dhe kërcënime vijnë dhe organizohen nga Serbia, e cila siç tha, tenton që fajin për këto t’ia hedh shqiptarëve.
I pari i Mbrojtjes tha se për të arritur qëllimin e tyre, serbët janë gjendje që të vrasin edhe fëmijët e tyre e fajin të provojnë që t’ua lënë shqiptarëve.
“Raste të tilla kemi edhe në të kaluarën siç është rasti “Panda” në Pejë, kur u vranë 6 të rinj serbë dhe për këtë u fajësuan shqiptarët, pastaj kemi rastin e kërcënimit me vrasje të Dick Martyt nga Intelegjenca e Serbisë me qëllim që t’i fajësonin shqiptarët, e gjithë kjo për të bërë më të besueshme pretendimet dhe akuzat e padrejta ndaj luftës çlirimtare”, është shprehur Mehaj.
Ai përmendi edhe rastin e kolonelit jugosllav Martinoviq, për të cilin tha se ai ishte rasti më kulmor i një gënjeshtre.
“Ndërsa rasti më kulmor i një gënjeshtre të mendësisë kriminale serbe, është vetëplagosja me shishe xhami e kolonelit jugosllav Martinoviq, në vitin 1984. Ai fillimisht në Emergjencën e Klinikës Kirurgjike në Prishtinë kishte deklaruar se lëndimi ishte vepër e tij, pastaj nën presionin e Sigurimit shtetëror serb të asaj kohe, ndërroi deklaratën e dhënë më parë, për qëllime politike dhe akuzoj shqiptarët për këtë vepër”, u shpreh Mehaj.
Më tej, Mehaj i bëri ftesë qytetarëve që të kenë maturi e sidomos në këto ditë ku sipas tij, grupet kriminale serbe po tentojnë me çdo kusht të destabilizojnë gjendjen duke inskenuar incidente në veriun e vendit.
“Prandaj, ftoj qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos iu nënshtrohen presioneve, e mos të bien pre e akteve të nxitjes së urrejtjes ndër-etnike i cili është qëllim primar i Beogradit, por të vazhdojnë të integrohen në shoqërinë dhe institucione tona, kjo është e vetmja rrugë për tu zhvilluar e jetuar në bashkësi”, tha Mehaj.