Site icon PrishtinaPress

Mehaj pas takimit me gjermanët: Sanksione jo vetëm ndaj Rusisë por edhe Serbisë

Armend Mehaj, ministër i Mbrojtjes, ka thënë se nuk duhet të ketë sanksione vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj Serbisë që po ndjek politikat ruse.

Këtë deklaratë Mehaj e tha gjatë takimit me parlamentarin gjerman, Dr.Christoph Plob dhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörg Rohde, 

Në këtë takim është diskutuar rreth situatës aktuale gjeopolitike, ndikimit rus në Ballkan, dhe zhvillimeve të fundit në Kosovë.

“Përparimet që Republika e Kosovës ka bërë sa i përket luftimit të korrupsionit duke u ngritur për 17 vende sipas matjeve të bëra nga Transparency International, si dhe duke u renditur e para në mesin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor për sundimin e ligjit, rezultate këto që flasin për një shtet dhe qeveri funksionale në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të kombit”, ka shkruar Mehaj.

“Po ashtu biseduam rreth avancimeve të ushtrisë  në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, gatishmërisë që kemi shprehur në vazhdimësi për të ofruar mbështetje në operacionet ndërkombëtare, për transportimin e afganëve si dhe trajnimin e ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të lëndëve të rrezikshme”, ka thënë ai.

Mehaj ka shtuar se  synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE, ku ka kërkuar mbëshetjen e Gjermanisë.

“Pozicionimi ynë është i qartë, në mbështetje gjithmonë të vlerave demokratike, larg tendencave serbo-ruse për destabilizim të Ballkanit, rrjedhimisht dhe Evropës”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Exit mobile version