Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se në rastin e sulmit ndaj dy qytetarëve në Shtërpcë është i përfshirë edhe një pjesëtar i FSK-së.
Ai ka thënë se rasti i tij do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që ka në fuqi Ministria e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë.
“Të dashur qytetarë, tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj ka shprehur keqardhjen e tij për atë që ka ndodhur në Shtërpcë.
“Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin. Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, ka shkruar në fund.