Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se institucionet e Kosovës janë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.
Siç thotë ministri i këtij dikasteri, si ngritja e kapaciteteve ushtarake serbe në kufirin me Kosovën, ashtu dhe vendimi i pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Kosovës janë veprime me tentim destabilizimin e vendit.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mehaj ka potencuar se institucionet janë në koordinim me Policinë dhe KFOR-in.
“Këto veprime janë pengesa e vetme që të arrihet një marrëveshje që do lejonte të dyja shtetet të ecin para për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Ministria e Mbrojtjes ashtu si dhe organet e tjera të rendit, mbetet e përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit si dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka theksuar se i vetmi kërcënim për komunitetin serb “janë individët dhe grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi”.
“Veprimtaria e të cilëve duhet ndalur sa më parë, dhe për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, si dhe me misionin e KFOR-it. Prandaj, apelojmë të gjithë qytetarët e vendit e specifikisht qytetarët tanë të komunitetit serb, që të jenë vigjilent, të mos manipulohen dhe të mos bien pre e dezinformatave që janë pjesë e skenarëve të orkestruar pandërprere nga Serbia dhe mekanizmat e saj të njohura e të praktikuara edhe në të kaluarën”, shkroi Mehaj.