Zyrtarët e Listës Serbe, Igor dhe Slavko Simiq, që nga mesi i javës ndodhen në Uashington, të cilët vizitën e tyre në SHBA e nisën me një takim në Departamentin e Shtetit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Mediumi serb ‘Danas’ raporton me burime perëndimore që spekulojnë se vizita e dy Simiqëve në Uashington mund të jetë një sinjal se në qasjen amerikane për zgjidhjen e tensioneve në veri të Kosovës, mbizotëron mendimi se pa Listën Serbe, kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës është i pamundur, si dhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e shpallura të jashtëzakonshme në katër komunat veriore është vitale.
Sipas ‘Danas’ edhe pse Lista Serbe është krahu i zgjatur i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe partisë së tij, SNS-së në Kosovë, në qarqet politike perëndimore vlerësohet jozyrtarisht se Uashingtoni kujdeset për një lloj “përzgjedhjeje” apo “ndarjeje” të zyrtarëve të saj, të cilët janë në “listën e zezë” të SHBA-ve, nga nënkryetari më i famshëm i Listës, Milan Radoiçiq, deri tek ata që janë më të pranueshëm për planet amerikane.
Sipas ‘Danas’, nuk duhet të përjashtohet lidhja e vizitës së tyre në SHBA me ardhjen e Derek Chollet, nënsekretarit të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, me shumë gjasa më 30 dhe 31 korrik, në Kosovë. Siç vijon mediumi, ani pse në Prishtinë janë paralajmëruar bisedime për marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së, tema kryesore e vizitës së Chollet mund të jetë siguria në veri të Kosovës.
Në artikull përmendet edhe skandali i shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusarit, ku u përgjua në bisedë me Slavko Simiq, ish-shefin e GP-së së Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Në këtë përgjim, Kusari u dëgjua duke ua “dertuar” çështjen e veteranëve dhe duke ofenduar kolegët e saj në prani të Simiqit