Siç shkruajnë mediat në Beograd, autoritetet e Kosovës sot në Merdare nuk ia kanë lejuar hyrjen patriarkut serb Porfirije dhe prijësve tjerë të Kishës Ortodokse Serbe. Sipas njoftimit, ata po planifikonin të merrnin pjesë në hapjen ceremoniale të seancës së rregullt vjetore të Kuvendit të KOS në Patriarkanën e Pejës.
Sipas RTS-së, Patriarkana ka konfirmuar se Kuvendi i Kishës Ortodokse nuk do të fillojë nesër punimet siç ishte planifikuar, në Patriarkanën e Pejës, por peshkopët do të mblidhen në Beograd, në kishën e Shën Savës në Vraçar, ku do të fillojë liturgjia në ora nëntë.
Edhe Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq, ka bërë të ditur se Patriarkut i është ndaluar hyrja në Kosovë siç ka thënë ai “me urdhër të drejtpërdrejtë të Albin Kurtit”.
“Sot, në orën 13:30, patriarkut serb ishte dashur të kalonte në vendkalimin administrativ të Merdares për të shkuar në selinë shekullore të kryepeshkopëve dhe patriarkëve serbë, por në momentin kur ishte afër kalimit, nga Prishtina ka arritur ndalesa ku thuhet se kreu i Kishës Ortodokse Serbe nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës”, tha Petkoviq.
Në komunikatë thuhet se Zyrtari Ndërlidhës i Beogradit, në përputhje me të gjitha marrëveshjet dhe procedurat në fuqi, ka dërguar një njoftim për planet e kreut të Kishës Ortodokse Serbe për të marrë pjesë në ditën e parë të Kuvendit të Kishës Ortodokse Serbe në Patriarkanën e Pejës.