Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën e sotme pas mbledhjes së Qeverisë, u pyet nga gazetarët nëse ndihen përgjegjës për “ambientin armiqësor ndaj gazetarëve”, pas sulmit të mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla.
Ajo u pyet edhe pse nuk kanë reaguar në profilet zyrtare në rrjetet sociale meqë aty po përhapet më së shumti gjuha e urrejtës.
“Mendoj që është mirë që kur ndryshojnë rrethanat të ndryshojnë edhe pyetjet. Siç e keni parë që sikurse kryeministri, ashtu edhe unë dhe ministrja Hajdari, e kemi dënuar sulmin e mbrëmshëm dhe iu kemi bërë thirrje institucioneve, qoftë policisë, qoftë drejtësisë që ta trajtojnë seriozisht këtë rast dhe jo vetëm këtë rast, por secili rast që ka ndodhë dhe që është sulm ndaj gazetarëve dhe opionistëve”.
“Kosova është shtet demokratik, prandaj sulmet për shkak të fjalës së lirë, mendimit ndryshe janë të papranueshme. Prandaj nëse për juve është më e rëndësishme një reagim në rrjet social, për mua është më e rëndësishme një reagim në mbledhjen e Qeverisë, një reagim këtu në ndërtesën e Qeverisë”.
Haxhiu tha se pajtohet që në rrjetet sociale po përhapet gjuha e urrejtjes dhe tha se institucionet duhet t’i ndjekin këto raste dhe duhet të marrë dënimin e merituar.
“Unë s’jam as police, as prokurore, as gjyqtare. Institucionet e drejtëtësisë duhet ta bëjnë punën e tyre”.
Po ashtu, Haxhiu u pyet edhe për raportin e fundit që flet për gjendjen e gazetarëve në Kosovë, por ajo iu shmang përmendjes së linçimit të gazetarëve nga zyrtarët.
“Një raport që është publikuar së fundi flet që gjendjen e kemi të rëndë në kuptim të mosadresimit serioz dhe në kohë të rasteve të sulmeve të tilla, prandaj edhe sot përmes kësaj foltore i thërras institucionet që ta kryejnë punën e tyre dhe i thërras qytetarët e Kosovës që ta respektojnë mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë”./PrishtinaPress/