Mbështetja që po i vjen Kosovës nga Administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk po përjetohet mirë në Serbi. Të gjitha deklaratat që kanë ardhur nga zyrtarë kyc të administratës amerikane në mediat serbe raportohen si disfatë e Beogradit.
Kështu është interpretuar edhe takimi dhe fotografia e Kryeparlamentarit Veseli me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, të cilën kreu i PDK’së e ka publikuar sot, shkruan Gazeta Express.
Në titullin e lajmit të gazetës serbe “Blic” shkruan “Fotografia e Veselit me Trumpin është shuplakë për Serbinë”.
Po ashtu në të gjitha mediat serbe është raportuar edhe për deklaratat e ambasadores amerikane në OKB, Niki Hailey e cila kishte thënë se Kosova e meriton të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara.
“Ne duhet ta njohim progresin që Kosova e ka arritur”, ka thënë Haley.
Trump ishte ftuar nga Presidenti i Serbisë Tomislav Nikolic që ta vizitojë Serbinë, ndërkohë që gjatë fushatës presidenciale në SHBA partia e Vojislav Seselj kishte organizuar mitingje në shenjë përkrahjeje për kandidatin Trump./PrishtinaPress.eu