Site icon PrishtinaPress

Mediat botërore: Grushte pas “Pinokios” në Parlamentin e Kosovës

Ngjarja e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e të dyja kampeve, pozitë dhe opozitë, u përleshën fizikisht, ka zënë vend të rëndësishëm në mediat ndërkombëtare.

“Përleshje me grushte shpërthyen në Parlamentin e Kosovës pasi deputeti e spërkati kryeministrin me ujë”, është titulli i agjencisë “Reuters”.

“Politico” i ka vënë këtë titull shkrimit të saj për ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës. “Përleshje masive në kuvendin e Kosovës për shkak të karikaturës së Pinokios dhe hedhjes së ujit”.

AP-ja e ka zgjedhur këtë titull: “Parlamenti i Kosovës shpërtheu në përleshje pasi u hodh ujë në drejtim të kryeministrit”.

Ngjashëm kanë raportuar edhe shumë media tjera në mbarë botën në gjuhë të ndryshme.

Kujtojmë se sot në orët e paradites, teksa po mbahej seanca e rregullt plenare, deputetë të PDK-së kanë vendosur disa pankarta para kryeministrit Kurti e para ministrave tjerë të qeverisë, por edhe në folësen e Kuvendit.

Më pastaj, te folësja e Kuvendit, ku po mbante fjalim kryeministri, është vendosur edhe një fotografi e tij e përpunuar me hundë të gjatë që simbolizon karakterin fiktiv dhe protagonistin e romanit për fëmijë, Pinokio, të cilit i rritet hunda sa herë gënjen.

Kjo nuk i pëlqeu numrit dy të qeverisë, Besnik Bislimit, i cili u ngrit nga vendi dhe e hoqi atë fotografi, të cilën e shqeu.

Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ngrihet nga vendi dhe niset në drejtim të kryeministrit, të cilin edhe e lag me ujë.

Këtu nis edhe përleshja fizike mes pushtetit e opozitës.

Exit mobile version