Site icon PrishtinaPress

Media britanike paralajmëron Evropën, merr shembull Kosovën për krizën energjetike

Reduktimet e ditëve të fundit të energjisë elektrike, ka bërë që Kosova të ketë një vëmendje ndërkombëtare. Lidhur me këtë gjendje ka shkruar edhe media britanike Express.co.uk, duke paralajmëruar se kjo mund t’i ndodh edhe Evropës.

“Kosova një nga vendet më pak të shfaqura për t’u përballur me krizën energjetike po zbaton reduktime të vazhdueshme më nga dy orë në ditë. Pra, do të jetë i pari, po jo i fundit që do ta bëjë këtë”, ka shkruar kjo medie.

Po ashtu, sipas tyre, Kina dhe Rusia janë shkaktarët e krizës energjetikë në botë.

“Shkaqet e të krizës [energjetike] janë një kombinim i pandemisë COVID-19, motit ekstrem dhe vendimeve të ndërmarra nga Kina dhe Rusia. Presidenti rus Vladimir Putin shfrytëzoi prodhimin e gazit si një mjet politik. Nëse Rusia do të rriste prodhimin e gazit, do të kishte një ndikim në uljen e çmimeve, por Putini e ka bërë të qartë se nuk do ta bëjë këtë, ndërkohë që Perëndimi kundërshton agresionin e tij ndaj Ukrainës”, thekson e përditshmja britanike.

Në këtë shkrim theksohet se pandemia COVID-19 ka ndikuar në kërkesën për energji.

“Kishte një supozim se ndikimi i pandemisë në kërkesën për energji do të ishte shumë më i madh sesa doli, kështu që u morën vendime botërisht për të ulur prodhimin e energjisë. Rënia aktuale e kërkesës për energji në vitin 2020 ishte 4 për qind, domethënëse, por shumë prisnin që ajo të ishte më e lartë. Shpejtësia e rimëkëmbjes ekonomike në vitin 2021 ishte gjithashtu e papritur”, shton ajo.

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlen për 60 ditë.Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Përmes këtij vendimi është vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Exit mobile version