Naim Qelaj, zëvendësministër i Drejtësisë, njëherësh koordinator nacional për mbrojtjen nga dhuna në familje, tha për Radion Evropa e Lirë, se në Kosovë sipas të dhënave që ai posedon, brenda 10 vjetëve, nga kjo kategori e krimeve, kanë ndodhur 34 raste të vrasjeve, ku viktima kanë qenë gratë.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, në vazhdën e punës së tyre kanë një koordinim të mirë edhe me institucionet që zbatojnë ligjet dhe politikat për parandalimin e dhunës në familje”.
“Dhuna në familje në Kosovë është e pranishme dhe shqetësuese. Brenda një viti raportohen mbi një mijë raste të dhunës në familje. Kjo ka bërë që ne si shoqëri po shtojmë angazhimet sesi mund ta parandalojmë këtë dukuri kaq të keqe, me të cilën ballafaqohet krejt bota”, tha Qelaj.
Krahasuar ndër dekada, thekson ai, në Kosovë vlerësohet se ka një avancim i cili ndërlidhet me raportimin e dhunës në familje, përkatësisht në rastin konkret dhunës ndaj grave.
“Prej pas luftës, qeveritë e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, ku ajo që vlen të ceket është Kushtetuta e Kosovës, e cila ka inkorporuar në vete aktet kryesore që mbrojnë të drejtat e njeriut”, tha Qelaj.
Edhe shefja e Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara për Kosovë, Ulrika Richardson, ka thënë se 35 për qind e grave në botë kanë përjetuar dhunë ose janë diskriminuar.
“Te dhuna gjinore dhe familjare e shohim se të dhënat janë vërtet tronditëse. Ato para së gjithash janë të tmerrshme. Ne shohim se bazuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë është 1 në 3 femra në mbarë botën pavarësisht ku jetojnë, në vende me nivel të lartë të zhvillimit ose të pazhvilluara, 1 në 3 femra ose 35 për qind kanë përjetuar lloj të dhunës diskriminimit dhe dhunës seksuale në veçanti”, tha ajo.
Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës tha se numri i raportimeve për dhunë në familje në periudhën janar-tetor 2018, është 1128 raste.
“Zyrtarët kompetentë policorë, përveç aspektit parandalues, iu përgjigjen të gjitha rasteve të dhunës familjare të raportuara, duke iu dhënë prioritet këtyre rasteve dhe veprimet kryesore që ndërmerren përveç ofrimit të ndihmës ndaj viktimave, përfshijnë edhe bashkëpunimin me subjektet tjera siç janë: Njësia për Mbrojtje dhe Përkrahje të Viktimave, Qendrat për Punë Sociale, Qendrat Mjekësore, shoqata të ndryshme joqeveritare që ofrojnë strehim, etj”, tha Hoxha.
“Arrestimi i personave të dyshuar në raste të tilla të dhunës familjare, bëhet çdo herë kur ka baza ligjore dhe njëkohësisht punohet në mbledhjen e fakteve dhe dëshmive lidhur me veprën penale, në mënyrë që i dyshuari ta marrë dënimin e merituar nga autoritetet vendimmarrëse të drejtësisë, respektivisht gjykatat”, theksoi Hoxha.
Bazuar në të dhënat zyrtare, vetëm vitin e kaluar janë shënuar 962 raste të dhunës në familje, ku viktima kanë qenë kryesisht gratë.