0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Më shumë se një dokument për ndryshimin e kufijve në Ballkan, DW përmend luftën

Dokumenti që e ka publikuar mediumi slloven, Necenzurirano, e i cili propozon copëtimin e Bosnje e Hercegovinës nuk është i vetmi dokument i tillë që qarkullon në Evropë.

“Brukseli duhet të ngrejë zërin e tij qartë”, i tha Deutsche Welles Christian Schwarz-Schilling, një ish-përfaqësues i lartë në BeH.

Ndërsa BiH lufton me pandeminë, për sigurimin e vaksinave nga programi COVAX, disa të ashtuquajtura “non-paper” për rajonin kanë shkuar në Bruksel.

Këto janë dokumente jozyrtare, të bëra për të provuar propozimet politike.

Ministri i Jashtëm kroat Gordan Gërliq Radman paraqiti një dokument të nënshkruar nga Sllovenia, Hungaria, Bullgaria, Greqia dhe Qiproja në Bruksel në fund të marsit, në të cilin Kroacia kryesisht dëshiron ta “ndihmojë” BeH në rrugën e saj drejt BE-së.

Me këtë letër, qeveria kroate mbështet përpjekjet e partisë motër HDZ në BeH për të ndryshuar ligjin zgjedhor në mënyrë që të ruhet bllokada e BeH si shtet dhe Zagrebi të ketë ndikim në vendimmarrje.

Në shikim të parë, kjo letër nuk njeh që ndryshimet në ligj do të hapnin rrugën për krijimin e një njësie të tretë në BeH dhe, në fund të fundit, aneksimin e saj në Kroaci.

Një dokument i tillë shkaktoi pakënaqësi te shumë njerëz.

Manuel Zaracin, anëtar i të Gjelbërve në Gjermani pyeti qeverinë në Berlin dhe mori një përgjigje të kënaqshme: “Qeveria federale është e përkushtuar për integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës, me entitetet ekzistuese”.

Ndarja paqësore?

Anëtari i Presidencës së BeH, Zheljko Komshiq, një kroat i Bosnjës që nuk pranohet nga HDZ në BeH dhe Kroaci, dërgoi një përgjigje në fillim të prillit përmes gazetës së tij.

Në atë dokument, ai flet për “politikë të paqartë e BE-së, e cila ndikohet fuqimisht nga Kroacia dhe partia në pushtet HDZ atje, si dhe mungesa e neutralitetit të delegacionit të Bashkimit Evropian në BeH”.

Komshiq vuri në dukje ndërhyrjen e Serbisë dhe Kroacisë në punët e brendshme të BeH, si dhe presionin e Rusisë për shkak të aspiratave të BeH për t’u anëtarësuar në NATO.

Ai bën thirrje për angazhim më aktiv të BE-së dhe ndihmë në zhbllokimin e institucioneve shtetërore, përndryshe, siç theksoi ai, situata në vend do të përshkallëzohet edhe më shumë.

Komuniteti ndërkombëtar në BeH reagoi menjëherë dhe u bëri thirrje aktorëve politikë t’i ndalojnë spekulimet dhe të mos krijojnë tensione të panevojshme.

Zheljko Komshiq

Vetëm disa ditë më parë, Zheljko Komshiq konfirmoi se presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë një vizite të fundit në Sarajevë më 5 mars, u tha tre anëtarëve të Presidencës së BeH se ka gjithnjë e më shumë vota në BE që bëjnë thirrje për fundin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Pahor thuhet se pyeti nëse ishte e mundur një “shpërbërje paqësore” e BeH.

Sipas Komshiq, ai dhe Shefik Gjaferoviq, një anëtar boshnjak i Presidencës, thanë se një ndarje paqësore nuk ishte e mundur, ndërsa Millorad Dodik shprehu pikëpamjen e kundërt. Nuk është lajm që Dodik mbron një mendim të tillë.

Ne mund ta pyesim veten pse një informacion kaq i rëndësishëm po del tani në dritë? Një arsye e mundshme është se një tjetër letër mbi “problemet e pazgjidhura kombëtare të serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve” është në qarkullim pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, një mik i mirë i Orbanit, me sa duket ia dërgoi një dokument të tillë Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, përmes kanaleve jozyrtare në shkurt. Jansha, megjithatë, mohon të jetë autori i dokumentit.

Non-paper e pretenduar, e botuar këtë javë nga një portal slloven, parashikon kryesisht vazhdimin e politikës nacionaliste të Serbisë dhe HDZ-së kroate ndaj BeH. Sipas disa informacioneve, një pjesë e dokumentit është shkruar edhe në Budapest, por në Bruksel quhet “letër sllovene”.

Lufta?

Dokumenti shkaktoi konfuzion sepse propozon rritjen e Serbisë, Kroacisë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Boshnjakët do të liheshin me një pjesë më të vogël të BeH.

Nuk është çudi që kundërshtarët e një ideje të tillë u rebeluan me zë të lartë, madje përmenden konflikte të armatosura.

Dokumenti flet për një “procedurë të heshtur”, domethënë një impuls për një ide të tillë ndihet larg syve të publikut në rajon dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Është e frikshme që disa në bashkësinë ndërkombëtare po marrin pjesë në një këshillim të tillë “të heshtur”.

A është harruar plotësisht që një luftë e tmerrshme shpërtheu në BeH pikërisht për shkak të planeve të ngjashme?

Jansha nuk i kundërshtoi drejtpërdrejt akuzat. Ai theksoi se Sllovenia “po kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit si dhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, por që kjo pengohet nga pretendimet që lidhin një letër sllovene me planet e mëparshme për ta ndarë BeH.

Presidenti slloven, Pahor nuk e komentoi dokumentin e pretenduar të kryeministrit Jansha, por zyra e tij tha: “Presidenti Pahor paralajmëron rregullisht për rreziqet e idesë së shpërbërjes së Bosnje dhe Herzegovinës dhe ridizajnimit të kufirit në Ballkanin Perëndimor”. Në mars, ai i pyeti të tre anëtarët e Presidencës së BeH se çfarë mendonin për këtë”.

Duke folur në POP TV të Sllovenisë, Pahor tha se pasi u kthye nga BeH, ai ishte edhe më i bindur se BE-ja po përballej “me një situatë të vështirë në të cilën nuk do të ishte në gjendje të merrte një vendim mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor brenda natës, e megjithatë do të duhet të veprojë shpejt”. Nëse bëhet më e vështirë, shtoi Pahor, “gjithçka mund të ndodhë në Ballkanin Perëndimor, ndoshta edhe me përdorimin e forcës, kështu që ne do të shohim përsëri gjakderdhje”.

SHBA-ja dhe BE-ja dhanë fjalën e tyre

Ambasada e SHBA-së në Sarajevë iu përgjigj planeve të raportuara nga gazeta sllovene me një deklaratë të qartë që bënte thirrje për respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

“Bosnje dhe Hercegovina është një shtet demokratik, multietnik, sovran dhe i pavarur me integritet territorial të pamohueshëm”.

Pozicioni i BE-së duket gjithashtu i qartë: “Nuk ka asgjë për të ndryshuar”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Sidoqoftë, “procedurat e heshtura” janë një lajm shqetësues, veçanërisht përpara takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, ku Ballkani Perëndimor do të jetë në rendin e ditës, si dhe para samitit Brdo-Brijuni në Kranj, i cili duhet të zhvillohet brenda dy muajsh.

Nuk është e qartë pse Sllovenia, e cila së shpejti do ta marrë Presidencën e BE-së nënshkroi “non-paperin” kroat.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img