-0.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Më shumë se 2 vjet nga zhdukja e mostrave të Astrit Deharit – asnjë përgjegjësi

Më 8 dhjetor të vitit 2022, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte ftuar mediat në një konferencë të jashtëzakonshme.

Ajo që do të deklaronte ministrja Haxhiu në atë konferencë, do të shkaktonte reagime të mëdha në Kosovë.

Haxhiu bëri të ditur se mostrat e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, ishin zhdukur nga hapësirat e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

“Në momentin që kanë qenë duke i bartur nga frigoriferi i vjetër në frigoriferin e ri, i kanë kontrolluar, i kanë parë, janë bazuar në lëndët që i kanë pasur më të vjetra, 2014-2014-2016 janë marrë dosjet. Rastet janë aty me kod, kur e kanë pa kodin dhe kanë shkuar në databazë, ka përkuar me rastin Dehari”, ka thënë Haxhiu.

Aso kohe, Ministria e Drejtësisë njoftoi për disa masa që u morën ndaj zyrtarëve përgjegjës. Megjithatë, ato masa nuk mbetën në fuqi për kohë të gjatë.

“Pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve: Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore. Vendimi ka hyrë në fuqi më 8.12.2022”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.

Vetëm disa ditë më vonë, personat ndaj të cilëve u morën masa, u kthyen në vendet e punës, dhe prej atëherë, kur kanë kaluar më shumë se dy vjet, nuk ka asnjë përgjegjësi nga askush.

Madje, Nacionale kishte evidentuar se zyrtarët e Komisionit të Ankesave që i kthyen në punë të suspenduarit, ishin avancuar brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Sikur të mos mjaftonin skandalet, prej atëherë, objekti i IML-së u përfshi nga zjarri të paktën dy herë.

Më 10 mars 2023, Nacionale kishte raportuar ekskluzivisht se ishin gjetur një pjesë e mostrave të Astrit Deharit.

“Komisioni per invertaizim i kanë gjetë tek një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë. Dje i kanë gjetë nga fundi i orarit të punës. Esenca është që frigoriferi nuk mbulohet prej kamerave. Një pjesë e mostrave janë gjetë, por jo të gjitha.”kishte thënë burimi për Nacionalen.

E një vit pas këtij zhvillimi, në fundin e marsit 2024, Nacionale kishte raportuar se ishin gjetur të gjitha mostrat e Deharit. Megjithatë, sot e asaj, dite, asnjë konfirmim zyrtar nuk ka për këtë çështje.

Ekipi i inventarizimit i ka gjetur mostrat. Gjatë fazës së parë të inventarizimit janë gjetur vetëm mostrat e urinës, në inventarizimin e dytë kanë qenë mostrat komplet”, kanë deklaruar këto burime për Nacionalen.

Nacionale kishte raportuar se drejtoresha e laboratorit të Toksikologjisë nga ku ishin zhdukur mostrat e Deharit, lëshonte raporte pa licencë.

Në fundin e vitit 2022 një inspektim ishte kryer brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore. Aty cak ishte drejtoresha e laboratorit të Toksikologjisë, Flutura Goga. Rezultatet e atij inspektimi dolën tek në janar të vitit 2023. Rezultati nga Inspektorati Shëndetësor ishte se Flutura Goga po bënte analiza të gjakut e urinës pa pasur licencë. Kështu duke e shkelur Ligjin për Shëndetësi,

Flutura Goga-Bajrami ishte përzgjedhur nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe si drejtoreshë e komplet Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ndodhi kjo një ditë para se të zhdukeshin mostrat e Astrit Deharit.

Inspektorati Shëndetësor ka gjetur se përpunimi i gjakut dhe urinës konsiderohet shërbim shëndetësor, e që sipas Ligjit për Shëndetësi kërkohet licencë. Në raportin e Inspektoratit Shëndetësor të cilin e ka siguruar ekskluzivisht gazeta Nacionale, thuhet se Goga-Bajrami nuk ka poseduar licencë për kryerjen e këtyre punëve.

“Është konstatuar se Znj Flutra Goga -Bajrami ishte e punësuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore gjegjësisht në Labaratorin e Toksikologjisë si udhëheqëse ku edhe përpunonte analizat toksikologjike për kufoma, por në raste të veçanta edhe persona të gjallë (viktimat të dhunës fizike dhe seksuale) përpunonte gjak dhe urine”, thuhet në këtë raport të Inspektoratit Shëndetësor.

Meqenëse përpunimi i gjakut dhe urines konsiderohet si shërbim shëndetësor atëherë neni 71 i Ligjit nr 04/L-125 Për Shëndetësi e ka paraparë licencimin e profesionistëve shëndetësorë sipas profileve të përcaktuara në nenin 69 të këtij ligji, ndërsa në paragrafin 4 të nenit 71 të këtij Ligji shprehimisht thuhet: ‘Profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licensës’”, thuhet më tutje në këtë raport të Inspektoratit Shëndetësor të cilin e ka siguruar Nacionale.

Ky raport i ishte dërguar Ministrisë së Drejtësisë, por që nuk dihet nëse është ndërmarrë ndonjë masë për këtë çështje.

Kryerja e shërbimeve shëndetësore pa licensë, ashtu siç ka konstatuar Inspektorati Shëndetësor në rastin e Flutura Goga-Bajramit, është e rregulluar me Ligjin për Shëndetësi.

Në mesin e profileve shëndetësore të përcaktuara në këtë ligj është edhe laboranti i lartë mjekësor. Kjo është e rregulluar me nenin 69 të Ligjit për Shëndetësi, i cili flet për profesionistët shëndetësorë.

Neni 71 i Ligjit për Shëndetësi në anën tjetër tregon se licensimi bëhet nga Oda përkatëse e profesionistëve shëndetësorë. E paragrafi katër i këtij neni, flet se shërbimet shëndetësore mund të ofrohen vetëm pas marrjes së licencës.

“Licensimi i profesionistit shëndetësor bëhet nga Oda përkatëse e profesionistëve shëndetësorë, në pajtim me këtë ligj. Profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licencës”, thuhet në Ligjin për Shëndetësi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img