Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi thotë se GAP-i bëri “manipulim statistikor”, pasi instituti tha në një analizë mbi ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm se Qeveria ka bërë diskriminim.
Nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë bërë për katër komunat që i udhëheq VV-ja, sipas raportit të GAP-it.
“Merre raportimin e GAP-it, diskuto me çdo student të mirë të ekonomisë, të tregon që është një manipulim i pastër statistikor”, tha Bislimi të mërkurën në një intervistë në RTK.
“Ky studim kufizohet në më pak se 50 milionë euro. Projektet kapitale të Kosovës janë 700 milionë euro më shumë. Duhet me pa tërësinë ku shkon. Se tash, për shembull, ky thotë ‘po ju referohemi vetëm projekteve të reja’. Po çka në qoftë se Lipjani i ka tri projekte që kanë fillu vitin e kaluar dhe tash Shtimja s’e ka pasë asnjë.. Atëherë tash hyn një në Shtime, por prapë janë tri në Lipjan, që vazhdojnë ende, janë projekte trivjeçare. A mund të thuhet që Shtimja është duke u favorizu? Jo, ende Lipjani është duke u favorizuar”, tha ai.
Sipas institutit GAP, gjysma e ndarjes së mjeteve Qeveria e bëri për komunat e Gjilanit, Shtimes, Kamenicës dhe Podujevës, që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje. Për shembull, sipas kësaj analize, për kokë banori për qytetarët e Shtimes janë ndarë dhjetë herë më shumë mjete për investime të reja kapitale sesa për kryeqytetasit.