Site icon PrishtinaPress

“Më shpejt dhe më sigurt”, Mehaj paralajmëron blerje tjera të armëve nga Turqia

Nga Turqia prej të cilës Kosova bleu dronët e famshëm “Bayraktar TB-2”, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka paralajmëruar se do të vazhdojnë blerjet e pajisjeve tjera ushtarake nga ky shtet. Blerjet shtet me shtet nga Turqia, Mehaj ka thënë se kanë qenë produktive, më të shpejta dhe më të sigurta. Për fluturaket e blera është deklaruar edhe Ambasadori i Turqisë në Kosovë. I pyetur nëse do të vijnë dronë tjerë apo pajisje ushtarake, ai tha se kjo varet nga nevojat e Qeverisë së Kosovës.

Dronët e Turqisë “Bayraktar TB-2” të cilët morën famë pas përdorimit nga ana e Ukrainës në luftë, tashmë janë pjesë e arsenalit ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Blerjen e këtyre fluturakeve e ka konfirmuar vetë kryeministri Albin Kurti, para gati dy javësh, në llogarinë e tij në Facebook.

Kurti nuk tregoi me sa të tillë është pajisur Kosova, por vetëm tha se Qeveria i ka blerë nga Turqia. E blerjet e arsenalit ushtarak nga Turqia do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Sinjal për këtë ka dhënë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas takimeve që ka zhvilluar në Turqi me presidentin e industrisë së mbrojtjes së Turqisë, Haluk Görgün dhe Shefin e kompanisë “Baykar”, Haluk Bayraktar.

Blerjen e dronëve Bayraktar, Mehaj e cilësoi si një nga investimet më të mëdha në ushtri gjatë viteve të fundit. Sipas tij, blerjet shtet me shtet nga Turqia, kanë qenë produktive, më të shpejta dhe më të sigurta.

“Takimi me presidentin e industrisë së mbrojtjes së Republikës së Turqisë, z. Haluk Görgün, blerjet shtet me shtet nga Republika e Turqisë kanë qenë produktive, më të shpejta dhe më të sigurta, prandaj bashkëpunimi ynë në këtë aspekt, do të vazhdoj edhe në të ardhmn. Blerjet tona do të jenë gjithmonë në koordinim me partnerët tanë dhe sipas standardeve të NATO-së. Ushtria jonë është duke u pajisur me teknologjinë e fundit të armatimit për qëllime mbrojtese”, shkroi Mehaj.

Investimet në arsenal ushtarak i ka konfirmuar para një jave edhe Ministria e Mbrojtjes. Nga ky institucion kanë deklaruar për Gazetën Express se këto investime po vazhdojnë në koordinim me partnerët strategjikë dhe konform standardeve të NATO’s.

“Ajo çfarë mund të konfirmojmë është që investimet në arsenal ushtarak po vazhdojnë në përputhje me Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, në koordinim me partnerët tanë strategjikë dhe konform standardeve të NATO-s. Dhe, nuk bëhet fjalë për donacione por për blerje”, kanë deklaruar nga Ministria.

Për fluturaket që Kosova bleu nga Turqia është deklaruar mbrëmë Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, i cili tha se ardhja e dronëve “Bayraktar TB-2” në Kosovë ishte rezultat i një marrëveshjeje dhe jo një donacioni.

“Kryeminstri Kurti veçse ka dhënë një njoftim në media dhe më duket e ka dhënë përgjigjen. Në këtë postim të tij, ka qenë një intervistë në një gazetë kroat, aty ka dhënë detaje shtesë. Kështu që është një marrëveshje, nuk është një donacion”, tha ai në Debat Plus.

Ai tha Turqia është partnere strategjike e Kosovës. Përveç në fushën e mbrojtjes, ai tha Turqia se me Kosovën ka bashkëpunim edhe në sferën ekonomike.

“Në fakt, ne nuk jemi shumë të gëzuar të shihemi më shumë si partnerë mbrojtës të Kosovës. Arsyeja është sepse Kosova është partneri strategjik i Turqisë edhe anasjelltas. Për të qenë një partner strategjik do të thotë të zhvilloni të gjitha fushat, edhe atë të mbrojtjes. Por në Kosovë ne e kemi të zhvilluar, të rëndësishëm edhe bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi investime në sektorë të ndryshëm, në banka, në aeroport, në distribucionin e rrymës, në prodhim dhe kompanitë turke edhe ngrisin punësimin në Kosovë. Investimet në Kosovë janë 10 përqind e investimeve tona në Ballkan. Vitin e kaluar Turqia është bërë partneri numër 1 i Kosovës dhe ne dëshirojmë të kemi bashkëpunim ekonomik e tregtar, kjo është e rëndësishme për ne”.

I pyetur se se a do të arrijnë dronë të tjerë në Kosovë, diplomati turk u shpreh se kjo varet nga nevoja e Kosovës.

“Kjo varet nga nevoja e Kosovës por deri më tani, forcat mbrojtëse të Kosovës janë duke kaluar nëpër bashkëpunime, trajnime dhe kemi disa bashkëpunime me udhëheqësit ushtarakë…këtu po fokusohemi më tepër por nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të fitojë ndonjë pajisje shtesë në lidhje me këto nevoja, në lidhje me kornizat e NATO-së, atëherë Turqia dhe shtetet e tjera do iu përgjigjen këtyre nevojave. Deri më tani, nuk ka qenë në agjendën tonë një gjë e tillë”, tha ai.

Reagimi i KFOR’it për dronët: Duhet autorizim nga ne për t’i ngritur në qiell

Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti i prezantoi dronët “Bayraktar”, Misioni paqeruajtës i NATO-s ia ka kujtuar Kosovës se KFOR-i është autoriteti parësor për hapësirën ajrore të vendit.

KFOR-i lëshoi një deklaratë në lidhje me përdorimin e dronëve, duke thënë se “hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale”, dhe se për hapësirën e poshtme nevojitet autorizimi i komandantit të KFOR-it.

“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it. Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

Në këtë deklaratë, KFOR-i tha se vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës sipas mandatit të tyre fillestar, duke përfshirë operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme.

“KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e përmendur të OKB-së”, thuhet në fund të deklaratës së KFOR-it.

Ndryshe, interesimin e Kosovës për të blerë dronët e famshëm të Turqisë, e kishte zbuluar Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, gjatë një interviste dhjetorin e vitit të kaluar.

Damka kishte thënë se Kosova e ka në agjendë dhe se është duke punuar blerjen e dronëve të prodhimit turk, Bayraktar. Çmimi i saktë i këtyre dronëve s’dihet, por vlerësohet se një kushton rreth 5 milionë euro.

Damka kishte thënë se ky është një proces afatgjatë, derisa shtoi se çdo blerje e armëve “do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”.

Presidentja Osmani kishte zhvilluar vizitë në kompaninë “Baykar”, gjatë një vizite që kishte realizuar në Turqi, në shkurt të vitit 2022. Në njoftimin për këtë vizitë, s’kishte përmendur interesimin e vendit që t’i ketë këta lloj të dronëve pjesë të arsenalit ushtarak.

Dy muaj pas Osmanit, fabrikën në fjalë e kishte vizituar edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ai kishte kumtuar se ishte njoftuar për së afërmi me dronët nga Shefi ekzekutiv i kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar.

Ndryshe, ky lloj droni për herë të parë ka fluturuar më 2014 dhe është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit. Ai krahasohet me amerikanin Elon Musk, për avionin unik ushtarak që ka zhvilluar dhe për një prani në rrjetet sociale, ku shpesh është i egër ndaj kritikëve të tij.

Bayraktar, i cili është shef i teknologjisë në kompaninë e mbrojtjes Baykar, më 2016 është martuar me vajzën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Kjo fluturake, po ashtu, mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë.

Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.

Exit mobile version