Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, me propozim të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica u miratua Projektligji për Inspektoratin e Punës, dokument që ka për bazë zbatimin e dokumenteve strategjike të Qeverisë së Kosovës.
Ministri Reçica tha se Projektligji për Inspektoratin e Punës ka për qëllim reformimin e këtij institucioni sipas standardeve ndërkombëtare të ILO-së dhe praktikave më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian.
Ai tha se me miratimin e këtij Projektligji po avancohen përpjekjet tona në përmbushjen e objektivave për fuqizimin dhe reformimin e Inspektoratit të Punës, zbatimin e të drejtave të punëtorëve, luftimin e punësimit jo formal, rritjen e sigurisë dhe shendetit në punë.