-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Me organograme e letra, Specialja po përpiqet të dëshmojë se UÇK-ja kishte hierarki dhe fuqi organizative

Prokuroria po e shpenzon pjesën më të madhe të kohës së saj në fillim të gjykimit ndaj ish-krerëve shqiptarë të luftës duke u përpjekur të dëshmojë për fuqinë organizative që kishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, sipas Prokurorisë, kishin nisur krijimin e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” me qëllime kriminale.

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Prokuoria ka nisur deklaratën e saj hyrëse të gjykimit duke u mundur ta paraqes strukturën e UÇK-së, në përpjekje për të dëshmuar fuqinë organizative të kësaj organizate rebele në vitet 1998-1999.

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specilizuar, Alex Whiting, i cili po e zëvendëson të dorëhequrin Jack Smith, tha se do të ofrojnë prova që dëshmojnë se UÇK-ja, siç tha ai, kishte hierarki dhe për autoritetin e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit në Shtabin e Përgjithshëm.

Whiting tha se gjatë marrjes në pyetje gjatë hetimit, Thaçi kishte thënë se Shtabi i Përgjithshëm kishte qenë “jofunksional” dhe vetëm “në letër”, duke i pretenduar këto deklarata si të pavërteta.

Duke bërë një historik të krijimit të UÇK-së, prokurori tjetër, Matthew Halling prezantoi disa deklarata dhe dokumente të ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, Thaçi, Veseli dhe Selimi e kishin themeluar Shtabin e Përgjithshëm dhe e kishin nisur “këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Krasniqi, u tha se ishte anëtar i drejtorisë politike.

Ndër tjerash, prokurori Halling prezantoi edhe një organogram të strukturës së UÇK-së të nëntorit 1998, duke iu referuar të dhënave, që sipas ZPS-së, u gjetën në shtëpinë e Jakup Krasniqit.

“Mund të shihni Krasniqin që bën me dije rolin e vet si zëvendëskomandant i UÇK-së dhe rolin që kishin tre të akuzuarit e tjerë: Hashim Thaçi politik, Rexhep Selimi inspektor i përgjithshëm, Kadri Veseli funksionar zbulimi”, tha prokurori Halling.

Whiting tha se motivi i kryerjes së krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të pretenduara në aktakuzë “ishte për të fituar pushtet në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.

“Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej, nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë. Mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova për këto të dyja”, tha ai.

“Qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë”, tha Whiting.

Prokurori tjetër, Halling, ndër tjerash, prezantoi një dokument që tha se u gjet në banesën e Jakup Krasniqit. Sipas tij, si dëshmon se Krasniqi i udhëzonte komandantët e zonave që të kryenin arrestime.

“Ky urdhër i fillimit të dhjetorit të vitit ’98, i nënshkruar nga Jakup Krasniqi dhe që është gjetur në banesën e tij është një shembull tjetër ku udhëzon komandantët e zonës që të urdhërojnë policinë ushtarake që t’i arrestojnë ata shtetas që i tregojnë besnikëri okupatorit, që mbajnë uniforma të policisë serbe, sepse kështu kanë kryer akte tradhtie ndaj shqiptarëve. E njëjta gjë do të bëhet në të ardhmen për çdo qytetar që është implikuar me çdo forcë policie që nuk është pjesë e UÇK-së, përpara se të vendoset statusi politik i Kosovës”, tha ai.

Prokurori Matthew Halling tha se gjatë intervistimit në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi kishte konfirmuar postet që katër të akuzuarit e kishin pasur gjatë luftës.

Një pjesë nga intervistimi i Selimit u transmetua në gjykatë, ku Selimi kishte folur se kush i shkruante komunikatat e UÇK-së dhe se kush ishte për mesazhin që dilte nga Shtabi i Përgjithshëm.

U citua edhe një libër i Jakup Krasniqit, ku pretendohet se ai aty flet për hierarkinë që e kishte UÇK-ja dhe që ajo “duhej respektuar”.

Prokuroria ka pesë orë kohë për deklaratën hyrëse në gjykim, dhe shumicën e kësaj po e shpenzon për të dëshmuar për fuqinë organizative të UÇK-së./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img