Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dje ka filluar dëshminë Naser Krasniqi, i cili përfaqësohet edhe nga një avokat në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ky dëshmitar ishte me masa mbrojtëse, por me kërkesën e tij u hoqën ato dhe ai dëshmoi në seancë publike, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjithashtu, dëshmitarit i janë dhënë garanci të parashikuara me Rregullën 151 (3), që do të thotë se asgjë që do të flas në gjyq nuk do të përdoret për ta ndjekur penalisht.
Krasniqi u njoftua se në rast që bëhet ndonjë pyetje që përgjigjja e saj inkriminon dëshmitarin, kryetari i trupit gjykus, Charles Smith III tha se duhet të bëhet me dije, e pastaj ata vendosin se si do të veprojnë tutje.
Dëshmitari tha se për herë të parë Rexhep Selimin e kishte takuar në Likoc më 1998, kur kishte hyrë nga Shqipëria për në Kosovë. Tha se Selimin e kishte njohur me emrin “Agron”.
“Kur e kam parë në Likoc pasi kam mbërri nga Shqipëria e kam ditur që është Rexhep Selimi, por e kam njohur vetëm me emrin Agroni. Më pas në ndërkohë e kam mësuar që Agroni është Rexhep Selimi dhe më pastaj para ofensivës së parë, kujtoj që së paku njëherë e kam takuar në Kleçkë. Nuk e di qëllimin e vizitës së tij në Kleçkë. E di që është takuar me Fatmirin (Limajn) pasi ai ishte përgjegjës i pikës aty në Kleçkë”, tha ai duke iu referuar vitit 1998.
Në dëshmitë e tij, dëshmitari Krasniqi tha se fillimisht ishte marrë me çështje të logjistikës, furnizime me ushqime etj. Përveç tij, dëshmitari pohoi se me logjistikën është marrë edhe Sadik Shala që e ka pasur pseudonimin “Burgia”.
Për njësitin “Lumi”, dëshmitari tha se duhet të ketë qenë në Malishevë ose përreth saj dhe se periudhës që iu referua prokurorja, dëshmitari tha se e ka udhëhequr Isni Kilaj.
“Sipas asaj që unë e di, duhet ta ketë drejtuar zoti Ferat Shala”, tha Krasniqi, kur u pyet se kush e drejtoi njësitin “Pëllumbi”.
Ai shtoi se në atë zonë ka pasur edhe njësite tjera si “Lisi”, “Guri”, e të tjerë. Për njësitin “Lisi”, ai tha se duhet të ketë qenë i vendosur rreth fshatit Dobërdolan ose përreth tij. Ndërsa, për atë “Guri”, ai tha se saktësisht nuk e di por duhet të ketë qenë në pjesën e Drenicës.
Dëshmitari pohoi se në Grajçevc ka qenë e vendosur një pikë e UÇK-së, të cilën e ka drejtuar Jetullah Qarri.
Në një dokument që u prezantua ishte emri i Ferat Shalës dhe një emër “Naser Krasniqi”, e dëshmitari i cili mban emrin e njëjtë tha se nuk ka mundësi që të jetë ai.
Në vazhdimësi të dëshmisë së tij, dëshmitari Krasniqi tha se si pjesëtar i Brigadës 121, me nofkën “Dhjetëshi” e ka njohur vetëm Rexhep Selimin.
“Ne në Brigadë si dhjetëshi kemi pasur njohuri që këtë nofkë e mban zoti Rexhep Selimi nëse nuk e ka mbajtur dikush tjetër, gjë që s’kam dëgjuar që e ka mbajtur dikush tjetër”, tha dëshmitari.
Ai tha gjithashtu tha që e di se Sokol Bashota mbante numrin “11”, ndërsa Kadri Veseli numrin “7”.
Ndryshe, në prova materiale u pranuan dëshmitë e dëshmitarit të dhëna para autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse.
Në fund të seancës, mbrojtja e të akuzuarve njoftoi që sipas radhës, dëshmitarin do ta marrin në pyetje fillimisht ekipi mbrojtës i Selimit, pastaj i Veselit, Krasniqit dhe më pas ekipi i Thaçit.