Site icon PrishtinaPress

Me jetën dhe veprën e Demaçit bashkohen përpjekjet e popullit shqiptar

Me një minutë heshtje ka filluar mbledhja komemorative e mbajtur sot në nderim të figurës së atdhetarit të shquar, Adem Demaçi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Profesoresha Myrvete Dreshaj Baliu në shenjë të homazhit ka shpalosur para të pranishme pjesë nga biografia e Demaçit.

Baliu: Me jetën dhe veprën e tij janë të bashkuara përpjekjet e popullit tonë

“Është vështirë të gjesh një moment të rëndësishëm dhe vendimtar të popullit tonë, është vështirë të identifikosh një mal sfidash, sakrificash, luftash e vlerash intelektuale e historike të popullit shqiptar në të cilat të mos ketë reflektuar Bac Adem Demaçi, në një mënyrë apo në një tjetër, e të mos ketë reflektuar emri, mendimi vepra dhe biografia jetësore e tij.  Me jetën dhe veprën e tij prej eruditi lidhi konceptet politike dhe vetëdijen historike të popullit tonë, e me jetën dhe veprën e tij janë të bashkuara  përpjekjet e kombit tonë dhe perspektiva e domosdoshme e bashkimit si akt i natyrshëm i popujve historik të Evropës dhe popujve me vetëdije historike, siç janë shqiptarët”, tha ajo.

Ajo ka shtuar se veprat e Demaçit bartin gjithë dramën shpirtërore të shqiptarëve, dhe se sjellin një dimension të gjithanshëm dhe përbëjnë gjithë fatin e popullit në ish-Jugosllavi.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema ka thënë se lajmi për vdekjen e Demaçit ka prekur zemrat e shqiptarëve kudo.

“Adem Demaçi ishte unik, dhe për këtë të gjithë e thërrisnin “Bacë”. Baca Adem, ky emër vetvetiu shpërfaq aq shumë lidhur me dashurinë dhe respektin që figura e të ndjerit gëzon te shqiptarët kudo në botë. Atë që do ta rrëfej në vetën e parë tani besoj se do të vlejë edhe për shumë gjenerata para dhe pas meje, unë me emrin e Bacës Adem së pari jam njoftuar si fëmijë 10 vjeçar, nga vëllai im që e takoi Bacën Adem në burgun e Mitrovicës së Sremit, në vitet në vijim ishte pikërisht ky emër ai që na frymëzoi që të jemi studentë të mirë, ky emër që na motivoi dhe na dha guxim që të jemi të pandalshëm në protesta, demonstrata, dhe shumë fronte, derisa arritëm realizimin e ëndrrës së Bacës Adem, Pavarësinë e Kosovës”, tha Dema.

Ai ka thënë se vepra e Demaçit do të jetojë gjatë brez pas brezi dhe do të kujtohet në mesin e studentëve. Dema ka shtuar se Demaçi i ka trajtuar të gjithë njëjtë, pavarësisht përkatësisë kombëtare apo fetare.

Rektori i UP-së po ashtu shtoi se ndjehet krenar që ky Universitet ka arritur që ta nderojë veprimtarin Demaçi, gjatë kohës sa ai ishte gjallë.

Përfaqësuesi i familjes Demaçi, Shqiptar Demaçi, djali i Adem Demaçit u ka freskuar kujtesën të pranishmëve, duke kujtuar pjesë nga protestat për këtë universitet.

“Do ta shtoja një detaj që ju e dini, por ndoshta është mirë të freskohet. Në vitin 1994 gjatë protestave për Universitetin e Prishtinës, së bashku me profesorin e ndjerë Ejup Statovcin, për të mbajt protesta gjithë popullore atëherë kur njerëzit kanë ecë me pankarta dhe ne studentët nëpër qytetin e Prishtinës dhe nëpër rrugën kryesore të qytetit të Prishtinës, atëherë kur policia ndali protestuesit, atëherë do të thotë praktikisht nuk u ndalën protestuesit, aty ishte edhe Baca Adem, bashkë me profesor Ejupin dhe profesorët e tjerë të Universitetit të Prishtinës dhe e çanë praktikisht atë hekurin policor, policia u zmbraps, dhe e vazhduan rrugën kryesore të qytetit të Prishtinës”, u shpreh Shqiptar Demaçi.

Demaçi ndër tjerash ka përkujtuar çmimet që babai i tij ka marrë nga faktorët ndërkombëtar.

Adem Demaçi vdiq në moshën 82 vjeçare nga shkaqe shëndetësore, përderisa figura e tij shihet si sinonim i rezistencës kombëtare, pasi kaloi afro tri dekada si i burgosur politik në burgjet e ish-Jugosllavisë.

Exit mobile version