Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi familjen e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Lavdim Ademi në fshatin Stantërg në Mitrovicë, të cilës, me iniciativë të Kryeparlamentarit dhe me vendim të Kryesisë, Kuvendi do t’i ndërtojë një shtëpi.
Gjatë vizitës që kryeparlamentari Veseli i bëri familjes së Lavdim Ademit, i cili para katër muajve ka vdekur nga një sëmundje e rëndë, u prit nga familjarët e tij, të cilët e falënderuan për vizitën dhe vendimin për ndërtimin e shtëpisë.
“Jam sot këtu në familjen e juaj, pikërisht në Ditën e bamirësisë që Kuvendi e ka shpallur 5 Shtatorin. Ne si Kuvend, tanimë, kemi marrë vendim dhe jemi duke pritur që brenda pak ditësh edhe Komuna e Mitrovicës ta ndaj një parcelë dhe të fillojmë ndërtimin e shtëpisë para sezonit të dimrit. Këtë e kemi obligim ndaj fëmijëve të Lavdimit, ndërsa nuk do të ndalemi së ndihmuari edhe familjet tjera në nevojë”, tha kryeparlamentari Veseli.
Kryeparlamentari Veseli u premtoi dy fëmijëve të Lavdimit, Arianitit (11) dhe Albanit (10), që kur të mbarojnë shkollën e mesme, do t’i ndihmojë me bursa për të vazhduar studimet universitare.
Sofije Ademi, bashkëshortja e Lavdimit, e falënderoi kryeparlamentarin Veseli dhe Kuvendin e Kosovës për ndihmën ndaj fëmijëve të saj.