Ish-gjenerali i ushtrisë serbe Bozhidar Deliq, ndaj të cilit në Beograd janë ngritur dy kallëzime penale për krime lufte në Kosovë, do të jetë bartës i listës së koalicionit “NADA” në zgjedhjet parlamentare në Serbi të cilat do të mbahen më 3 prill të këtij viti.
Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, Bozhidar Deliq ishte komandant i Brigadës 549 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave.
Sipas mediave, Fondi joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Beograd, i cili heton krimet e luftës, ka ngritur dy kallëzime penale kundër Deliqit për krime në Kosovë, por ndaj tij asnjëherë nuk kanë nisur procedurat, transmeton Telegrafi.
Si dëshmitar i mbrojtjes, Deliq u paraqit në Gjykatën e Hagës në gjykimin ndaj ish-presidentit serb Slobodan Milosheviq dhe gjeneralit Vladimir Lazareviq, i cili ishte dënuar për krime lufte në Kosovë.
Ai disa herë ka thënë se nuk do ta ekstradonte në Gjykatën e Hagës gjeneralin Ratko Mlladiq, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë.
Deliq ishte deputet i parlamentit serb në disa mandate, kurse në vitin 2007 nënkryetari i tij nga Partia Progresive Serbe (SRS) e të dënuarit të Hagës – Vojislav Sheshel.
Pas ndarjes në SRS në 2008, Deliq iu bashkua Partisë Progresive Serbe të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, për t’u larguar në vitin 2011 për shkak të mosmarrëveshjeve me politikën partiake dhe për t’u kthyer te radikalët.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, kur SRS nuk e kaloi censusin, Deliq ra në konflikt me liderin e radikalëve dhe u përjashtua nga anëtarësia.
Koalicioni “NADA”, listës së të cilës i prin Deliq, përbëhet nga Partia Demokratike e Serbisë (DSS) e krahut të djathtë dhe Lëvizja për Ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë, fraksioni i së cilës udhëhiqet nga Vojsilav Mihajloviq – nipi i Drazha Mihajloviqit – komandantit çetnik nga Lufta e Dytë Botërore.
Mihajloviq tha në një konferencë për shtyp më 7 shkurt se Deliqin me anëtarët e koalicionit “NADA” e lidh një dashuri e përbashkët për Serbinë dhe se kjo tregon “se cili është raporti i koalicionit ndaj Kosovës”.
Deliq do të jetë bartës i listës si një person jopartiak, kurse kryetari DSS, Milosh Jovanoviq e quajti atë një nga “luftëtarët më të mëdhenj të gjallë serbë”.
Vetë Deliq tha në konferencë se “koalicioni NADA përfshin të gjithë ata njerëz me të cilët ai ka punuar si ushtar për vite me radhë dhe ka bërë atë që Serbia ka kërkuar prej tyre”.
Ai sot është kryetar i shoqatës “Nuk ka kthim, Serbia është prapa”.