Me dorëza elektronike synojnë monitorimin e personave të karantinuar, Koreja e Jugut me masa të reja për parandalimin e COVID-19

42
Advertisement

Zyrtarët e Koresë së Jugut janë duke menduar të fusin në përdorim dorëzat elektronike, me qëllim që të mund të monitorojnë sa më shumë njerëz që janë futur në vetëizolim, me shpresën se do të parandalojnë përhapjen e mëtejme të coronavirusit.

Advertisement

Zyrtari i ministrisë së Shëndetësisë, Jun Tae-ho, ka thënë sot se pajisje të tilla ndihmojnë që të gjurmohen dhe kontrollohen më lehtë personat që janë vetëizoluar nëpër shtëpitë e tyre, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, Jun ka pranuar se përdorimi i dorëzave elektronike do ta ngriste çështjen sa i përket respektimit të privatësisë, duke mos treguar nëse qeveria ka urdhëruar që ato të futen në përdorim.

Numri i personave të futur në karantinë është rritur dukshëm nga java e kaluar, kur Koreja e Jugut filloi përgatitjen e karantinimit 14-ditor për të gjithë pasagjerët që vijnë nga jashtë, me qëllim të parandalohet përhapja e infeksionit.

Sipas zyrtarit të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurisë, Li Biong-Ceol, më shumë se 46.500 persona janë futur në vetëizolim sipas të dhënave të ditës së djeshme, përfshirë 38.400 që së fundmi kanë ardhur nga jashtë. Ai tha se ky numër do të mund të shkon nga 80 deri në 90 mijë.

Personat që futen në karantinë obligohen të instalojnë aplikacionin, me të cilin paralajmërojnë autoritetet kur ata largohen nga shtëpia apo në ndonjë vend tjetër ku ata qëndrojnë. Por, ky aplikacion nuk mjafton kur ata vendosin t’i fikin telefonat apo të ndalin sistemin e gjurmimit GPS.

Li gjithashtu ka pranuar se policia e Koresë së Jugut është vënë pas  70 personave që kanë shkelur rregullat e karantimit.

Kujtojmë që ky vend sot ka regjistruar 47 raste të reja me coronavirus dhe gjashtë të vdekur, që në total numri i personave të infektuar ka shkuar në 10.331, kurse i atyre të vdekur në 192.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Korenë e Jugut, ka njoftuar se të paktën 802 persona të infektuar kanë lidhje me personat e ardhur nga jashtë.

PostAdssFotoja e reklamës