Site icon PrishtinaPress

Me çfarë pasaporte shkoi Kurti në Spanjë?

Kryeministri Albin Kurti ka shkuar sot në Spanjë, vendi ku shtetasit kosovarë nuk mund të udhëtojnë as me viza Schengen. Me çfarë pasaporte hyri Kurti në Spanjë? 

Në vizat, të cilat i marrin kosovarët për të udhëtuar në zonën Schengen, shkruan se me të nuk mund të hyhet vetëm në Spanjë. Nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, Spanja është më striktja në mohimin e saj, shkruan Gazeta Express.

Por, Kryeministri Kurti ka shkuar sot në Madrid, për të marrë pjesë në Kongresin e Internacionales Socialiste, si lider i Lëvizjes Vetëvendose dhe nuk dihet se si ka hyrë atje. 

Paparaci.com shkruan se e ka pyetur zyrën e Kurtit se me çfarë pasaporte ka udhëtuar ai në Spanjë, por zyrtarët e shumtë të qeverisë kanë refuzuar të përgjigjen. 

Kryeministri Kurti ka dy shtetësi, të Kosovës dhe të Shqipërisë. 

Në të kaluarën kur politikanët kosovarë kanë udhëtuar në Spanjë, ky shtet u ka vendosur viza në një letër e jo në pasaportë. Njëjtë veprohet edhe me sportistë, artistë e qytetarë të tjerë Kosovës që duan të udhëtojnë në Spanjë, ndonëse pajisja me këtë vizë është më e vështirë.

Spanja, ndryshe, është angazhuar së fundmi brenda BE-së që ta bllokojë lëvizjen e kosovarëve, duke mos u pajtuar që t’i hiqen vizat nga nëntori i 2023-s, kur hyn në fuqi sistemi ETIAS.

Exit mobile version