Senatori amerikan John McCain, i cili vazhdon betejën me kancerin në tru, kritikoi ashpër Presidentin Donald Trump, që ai thotë se nuk po u përmbahet vlerave amerikane.
Në një libër lamtumire me kujtime, senatori thotë se Presidenti Trump “nuk ka pranuar të bëjë dallimin mes veprimeve të qeverisë sonë dhe krimet e qeverive despotike”.
Libri i 81-vjeçarit McCain titullohet “Vala e pandalshme: Kohë të mira, kauza të drejta, luftra të mëdha dhe vlerësime të tjera.”
McCain, ish i burgosur lufte në Vietnamin e Veriut në vitet 1960, ish kandidat republikan që humbi garën për president në vitin 2008 dhe i zgjedhur gjashtë herë si senator i shtetit Arizona, thotë se nuk ndien keqardhje për faktin që ky do të jetë mandati i tij i fundit në Senat, për shkak të sëmundjes.
McCain shkruan: “Unë jam njeri më i lirë sesa kolegët që do të përballen përsëri me votuesit. Mund të them atë që kam në mendje pa pasur shumë frikë për pasojat. Mund të votoj sipas ndërgjegjes sime pa u shqetësuar.”
“Por nuk mendoj se jam i lirë të shpërfill dëshirat e zgjedhësve të mi, përkundrazi,” “Nuk dua të dëmtoj të ardhmen e partisë sime. Por ndjej një përgjegjësi të ngutshme për t’u dhënë amerikanëve gjykimin tim më të mirë,” shkruan McCain.
“Para se të largohem, – shkruan McCain, – do të doja të shihja që politika jonë t’u rikthehet qëllimeve dhe praktikave që e dallojnë historinë tonë nga historia e vendeve të tjera.” “Do të doja të shihja rikthimin tek ndjesia se ne jemi më shumë të ngjashëm sesa të ndryshëm nga njëri-tjetri.”
“Ne jemi qytetarë të një republike të ndërtuar nga ideale të përbashkëta të farkëtuara në një botë të re për të zëvendësuar armiqësitë klanore që torturonin botën e vjetër,” shkruan McCain.
McCain, i cili njihet si një ligjvënës që flet hapur, ka pasur një marrëdhënie të kontestueshme me republikanin Trump. Gjatë garës për presidencën, zoti Trump u përpoq t’ia ulë vlerën faktit që McCain vuajti pesë vite rrjesht i mbajtur rob në Vietnamin e Veriut pas rrëzimit të avionit të tij ushtarak kur po bombardonte Hanoin.
Duke folur për senatorin McCain, zoti Trump tha: “Ai nuk është hero lufte. Ai ishte hero lufte sepse u kap. Më pëlqejnë njerëzit që nuk janë kapur.”
Vitin e kaluar, senatori McCain e sfidoi Presidentin Trump duke hedhur votën vendimtare kundër planit republikan të mbështetur nga presidenti për të shfuqizuar planin e kujdesit shëndetësor të ish-Presidentit Barak Obama.
Që nga dhjetori, senatori McCain i është nënshtruar trajtimit në Arizona, duke ofruar herë pas here komentet e tij mbi çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare, por duke qëndruar larg Uashingtonit. /VoA