Site icon PrishtinaPress

Mbyllet për publikun seanca ndaj Krivaqës e Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbyllur për publikun shqyrtimi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, për shkak se do të bëhet administrimi i CD-së, e cila vlerësohet si prova kryesore aktakuzës.

Seanca u mbyll për publikun me propozim të prokurorit Valdet Avdiu dhe avokatëve Arbnora Shefkiu (mbrojtëse e Arbër Sejdiut) dhe Admir Salihu (mbrojtës i Dardan Krivaqës).

Propozimi u aprovua nga gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi, ndërsa seacna pritet që të hapet sërish pas shikimit të kësaj CD-je.

Në seancën e 24 janarit 2023, gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi, ka aprovuar propozimin e avokatit mbrojtës, Admir Salihu, që të bëhej një ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës. Ndërsa, në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka pranuar gjykata në fjalë, është konstatuar se i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares, nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

Kurse, më 23 gusht 2022, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal. / Betimi për Drejtësi

Exit mobile version