Site icon PrishtinaPress

Mburrja me Ligjin për Skemën Pensionale, Qeveria e përmbushi afatin që ia caktoi Kushtetuesja

Qeveria e Kosovës dje mori vendim për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemën Pensionale. Me mburrje për këto ndryshime foli kryeministri Albin Kurti. Ai madje tha se po kryen punë për gjysmë mandati, që të tjerët nuk i kanë kryer për 20 vite. Por, si duket vendimi i djeshëm për pensionet e viteve të 90-ta ishte i detyrueshëm.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese përmes një Aktgjykimi në janar të këtij viti, i dha kohë Qeverisë që deri me 15 korrik 2023 të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, shkruan Gazeta Express.

“Të urdhërojë në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 të Kushtetutës, Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, që jo më larg se deri më 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim:”, thuhet Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të shpallur më 16 janar 2023.

Kjo pasi, Kushtetuesja konstatoi se ky Ligj, shkel të drejtat e njeriut dhe diskriminon punonjësit e viteve të 90-ta.

“Të konstatojë se paragrafi 2 i nenit 8 të Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nënparagrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional, nuk janë në përputhshmëri me nenin 24 {Barazia para Ligjit} të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 {Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit} të protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet më tutje në Aktgjykim.

E me ndryshimet e miratuara dje në Qeveri, është hequr kriteri për stazh 15 vite punë, si kusht për të përfituar pension për punën e bërë para 1 janarit të vitit 1999.

Jakaj nga IKD: Qeveria u detyrua të ndryshojë programin legjislativ pas Aktgjykimit të Kushtetueses

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i ka thënë Gazetës Express, se vazhdimisht kanë kritikuar qasjen e institucioneve për mosrealizimin e të drejtave të pensionistëve.

Madje ai tha se në tri raste kanë kërkuar nga Ministria e Finance dhe Kuvendi i Kosovës që të nisin ndryshime ligjore lidhur me këtë çështje.

“Edhe në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas në kuadër të IKD-së, kemi ndihmuar me qindra pensionistë të Kosovës në identifikimin, evidentimin dhe adresimin e shkeljeve që institucionet u kanë bërë me rastin e dëshmisë për kriterin prej 15 viteve për të përfituar pensionin kontribut pagues. Gjatë vitit 2023, në më shumë se tre raste, IKD ka kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, po ashtu edhe nga Kuvendi i Kosovës të nisin ndryshimet ligjore në mënyrë që të mos shkelen të drejtat e mijëra qytetarëve të Kosovës, të drejta të garantuara me Kushtetutë”, tha Jakaj për Express.

E vetëm pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, sipas Jakajt Qeveria u detyrua të ndryshojë programin legjislativ dhe të përfshijë ndryshimet e kërkuara.

“Reforma pensionale dhe sociale ka qenë premtimi kryesor i Lëvizjes VETËVENDODJSE! në fushatën elektorale në vitin 2021. Projektligjet që prekin këtë reformë janë planifikuar në vitin 2021 dhe në vitin 2022, por ato nuk u proceduan për në Qeveri dhe në Kuvendin e Kosovës.  Me 30 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 8 te Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale, sepse në mënyrë diskriminuese përmes këtij neni mijëra qytetarë duke mos e përmbushur kriterin e përvojës prej 15 viteve pune para janarit të viti 1999 nuk e kanë gëzuar pensionin kontributdhënës, por vetëm atë të moshës. Ndryshimet e kërkuara nuk u përfshinë në Programin Legjislativ të Qeverisë për vitin 2023. Vetëm pas këtyre kërkesave dhe pas nxjerrjes së Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku kjo gjykatë shfuqizoi nenin diskriminues për afërsisht mbi 70 mijë qytetarë të Kosovës, në fund të muajit maj, Qeveria u detyrua të ndryshojë programin legjislativ dhe të përfshijë ndryshimet e kërkuara”, tha ai.

E kritika ai pati edhe për miratimin e Projektligjit. Sipas tij ky miratim u bë pa e respektuar Rregulloren për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik.

“Projektligji u miratua duke mos respektuar Rregulloren për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik, në të cilën rregullore janë përcaktuar standardet minimale, parimet dhe procedurat në procesin e konsultimit publik, ndërmjet organeve publike, palëve të interesuara dhe publikut, në procesin e hartimit të politikave dhe legjislacionit.  Po ashtu, miratimi i projektligjit u bë duke mos zhvilluar dialog të plotë social.  Projektligji i miratuar dje adreson vetëm kërkesat e Gjykatës Kushtetuese dhe jo ndonjë reformë  të thellë pensionale ashtu siç është premtuar para ardhjes në pushtet të LV-së”, tha Jakaj për Express.

Jakaj: Pati vonesa nga Qeveria, miratimi duhet bëtë në mënyrë të përshpejtuar në Kuvend

Hulumtuesi i IKD-së, Naim Jakaj tha se për shkak të vonesave nga ana e Qeverisë, tani në Kuvend ky Ligj me ndryshime duhet të votohet në mënyrë të përshpejtuar.

“Ndryshimet e bëra me këtë projektligj nuk do të hyjnë në fuqi me 15 korrik 2023 sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese.  Afatet e parapara me Rregulloren e Kuvendit për ta shqyrtuar dhe afatet për kontestimin e këtij ligji sipas Kushtetutës, tejkalojnë kohën e kërkuar nga Gjykata Kushtetuese. Qeveria ka pasur vonesa të theksuara në miratimin e këtij projektligji. Por, për t’u shpejtuar miratimi dhe hyrja në fuqi e projektligjit, miratimi i tij në Kuvendin e Kosovës duhet të bëhet me procedurë të përshpejtuar përmes kërkesës për seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Kryeministri ose 1/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ai.

Për t’u miratuar ky Ligj duhet të votojnë 2/3 e deputetëve të pranishëm.

“Në këtë seancë duhet të votojnë PËR, 2/3 e deputetëve të pranishëm për t’u shmangur nga afatet procedurale të Rregullores. Një seancë e tillë mbahet jo më vonë se 72 orë nga momenti i dorëzimit të kërkesës. Një praktikë e tillë e miratimit të projektligjeve duke shmangë afatet e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës është kritikuar në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2022”, tha më tutje ai.

Humolli nga KDI: Kuvendi dhe Qeveria të veprojnë urgjent që ta pëmbushin obligimin kushtetues

Albesa Humolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Express se pas miratimit të Ligjit për Skemat Sociale me plotësim-ndryshime, Qeveria dhe Kuvendi duhet të veprojnë në mënyrë urgjente për ta përmbushur obligimin kushtetues.

Ajo tha se janë dy mundësi që ky Ligj të miratohet sa më shpejtë në Kuvend.

“Sa i përket hapave të tanishëm, meqenëse afati për të ndryshuar dhe plotësuar ligjin në fjalë sipas vendimit të  Gjykatës Kushtetuese veçse është afruar, atëherë këto dy institucione Qeveria dhe Kuvendi duhet të veprojnë në mënyrë urgjente në mënyrë që të përmbushet obligimi kushtetues për zbatimin e këtij vendimi. Duke e ditur faktin që qeveria dje ka miratuar projektligjin me ndryshimet e nevojshme, tanimë ky projektligj duhet të dorëzohet në Kuvend, i cili ka dy mundësi që ta miratoj ligjin deri më 15 korrik 2023. Bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës ka hapësirë që ky projektligj të miratohet nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar ose që deputetët e Kuvendit të vendosin me 2/3- ën e votave për shmangie nga afatet procedurale për shqyrtimin e projektligjit në mënyrë që i njëjti të miratohet brenda një seance të ardhshme në të dy leximet. Përndryshe, çfarëdo tejkalimi i afatit të përcaktuar nga gjykata kushtetuese do të shkaktonte për pasoje shfuqizimin e menjëhershëm të nenit 8 të ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti por edhe do të përbënte shembull të keq të mos përmbushjes së një obligimi kushtetues nga Qeveria e Kuvendi siç është zbatimi i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo për Express.

Murati: 70 mijë pensionistë përfitojnë nga vendimi

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se  për një vit të plotë të shpenzohen 60 milionë euro, për pesnionerët e vitevbe të 90-ta.

“Si ndikim buxhetor kemi paraparë që për një vit të plotë parashihet të jetë rreth 60 milionë euro që parashihet të jetë brenda kufijve buxhetor, ndërsa me kërkesën e re apo me programin e ri që kemi qoftë me Bankën Botërore apo edhe me FMN-në, parashihet qe me udhëzimin e ri administrativ në fuqi të bëjmë përllogaritjen edhe të ndikimit financiar për politika të reja sociale për 50 vite. Dhe ndikimi i jetëgjatësisë së kësaj skeme apo për 50 vitet e ardhshme parashihet të jetë 1.3 miliardë euro në tërësi”, tha ai.

Sipas tij nga ky ndryshim do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë.

“Nga ky ndryshim plotësim, teorikisht parashihet që të përfitojnë rreth 104 mijë persona që do të plotësonin kushtin për të përfituar nga ky ndryshim, megjithatë duhet të kemi parasysh që disa mund të kenë ndërruar jetë e disa të mos e kenë arritur ende moshën e pensionimit, por aktualisht në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70 mijë persona që do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës”, është shprehur Murati.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha dje se për gjysmë mandati po kryejnë punë që të tjerët nuk i kanë kryer për 20 vite.

“Duke ndryshuar Ligjin i cili do të mundësojë fitimin e së drejtës që të përfitojnë nga kontributet e tyre edhe ata që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna nuk arritën që të përmbushin kushtin prej 15 vitesh kontribut. Kjo arritje i shtohet listës së çështjeve dhe problemeve që të tjerët nuk arritën që t’i zgjidhin për 20 vite e po i rregullojmë që në mandatin e parë, madje në gjysmën të mandatit. Kemi ende shumë punë para vetes por me durim e përkushtim do të arrijmë të përmbushim çdo gjë që e kemi premtuar deri në fund. Pavarësisht pengesave e gurëve që çdo ditë na i hedhin në rrugë, ne nuk ndalemi, i mbajmë dhe i përmbushim zotimet e dhëna ndaj qytetarëve tanë”, tha Kurti.

Exit mobile version