Në përgjigje ndaj kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), mbrojtja e ish-deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit, ka kërkuar lirimin e këtij të fundit deri në 30 ditë para gjykimit.Kjo është bërë e ditur përmes shkresës së publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Në këtë shkresë, thuhet se kushtet e gjera, të arsyeshme, reale dhe të detyrueshme të lirimit të përkohshëm mund të zbusin mjaftueshëm gjasat e rreziqeve të identifikuara nga gjyqtari i procedurës paraprake në përputhje me nenin 41(6)(b) në lidhje me Selimin.
Sipas mbrojtjes, në këto rrethana, gjyqtari i procedurës paraprake duhet të refuzojë kërkesën e ZPS-së për vazhdimin e paraburgimit të Selimit, pavarësisht vendimit të Kolegjit të Apelit, i cili vërtetoi vazhdimin e paraburgimit të Selimit të caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Po ashtu, thuhet se mbrojtja rikujton se Kolegji i Apelit miratoi qasjen e gjyqtarit të procedurës paraprake gjatë vlerësimit të kushteve të propozuara të lirimit i cili: “nuk ka vendosur një standard që do të përmbushej vetëm kur mbrojtja e ofruar nga Policia e Kosovës ishte ekuivalente me atë të objekteve të paraburgimit, por e përdori atë si një metodë për të vlerësuar përshtatshmërinë e kushteve të propozuara në drejtim të zbutjes së rreziqeve të identifikuara.”
“Për të lejuar lirimin e përkohshëm sipas kushteve, gjyqtari i procedurës paraprake nuk duhet të jetë i bindur se kushtet do të përsërisin saktësisht ato në objektin e paraburgimit të DhSK-së, por përkundrazi se, të vlerësuar në mënyrë holistike, kushtet e kombinuara të lirimit do të zbusin mjaftueshëm rreziqet e nenit 41(6)(b) . Kushtet e kombinuara të përcaktuara këtu, të cilat do të vendosnin kufizime të rënda dhe të gjera për lirinë e z. Selimi, do ta përmbushnin atë standard”, thuhet tutje.
Prandaj, thuhet se mbrojtja kërkon nga gjyqtari i procedurës paraprake që të refuzojë kërkesën e ZPS-së për vazhdimin e paraburgimit të Selimt dhe të lirojë Selimin, deri në 30 ditë para fillimit të gjykimit, me kushtet e nevojshme.
Ndryshe, në këtë shkresë, mbrojtja ka paraqitur edhe argumentet lidhur me vizita të pa monitoruara të Selimit dhe monitorimin në distancë të vizitave dhe përfshirjes së personelit të objekteve të paraburgimit të DSK-së.Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.