3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Mbrojtja kërkon nga Apeli lirimin e të dënuarës për vrasjen e motrës së saj në Fushë-Kosovë

Gjykata e Apelit të enjten ka trajtuar ankesën e parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarës F.S., avokatit Halit Shaljani, lidhur me dënimin e F.S., me 7 vite burgim dhe trajtim të detyruar psikiatrik për vrasjen e motrës së saj në Fushë-Kosovë.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 mars 2023 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës F.S., lidhur me akuzën për vrasjen e motrës T.S në Fushë-Kosovë, duke e dënuar me 7 vite burgim. Po ashtu, të akuzuarës iu shqiptua edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarës Sllamniku, avokati Halit Shaljani, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike si dhe vendimit lidhur me sanksionin e shqiptuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas ankesës së tij, aktgjykimi i shkallës së parë nuk qëndron për arsye se nuk janë administruar të gjitha provat nga shkresat e lëndës, me të cilat do vërtetoheshin elementet e veprës penale.

I njëjti gjatë seancës së sotme propozoi që në mungesë të provave, e mbrojtura e tij të shpallet e pafajshme apo çështja të kthehet në rivendosje.

Gjykatësi Hashim Çollaku bëri të ditur se lidhur me këtë ankesë është deklaruar edhe Prokuroria e Apelit, e cila ka propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e avokatit Halit Shaljani dhe aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet.

Ankesa e lartcekur u shqyrtua nga kolegji i gjyqtarëve të Apelit në përbërje nga gjykatësit Hashim Çollaku, Beqir Kalludra dhe Xhevdet Abazi.

Ndryshe, më 11 gusht 2022 pritej të bëhej shpallja e aktgjykimit për këtë rast, por që nga ana e trupit gjykues për të njëjtin rast është rihapur shqyrtimi gjyqësor me arsyetimin se trupi gjykues ka vlerësuar se duhet të administrohen provat, përkatësisht dokumentet mjekësore të paraqitura nga ana e mbrojtësit të të akuzuarës, avokatit Halit Shaljani për shëndetin e të akuzuarës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S., me arsyetimin se derisa ishte në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë-Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.

Sipas aktit akuzues, derisa tani e ndjera ishte e shtirë në krevatin e dhomës së saj e pandehura fillimisht e kishte shtrënguar në qafë dhe fyt e më pas e kishte lidhur edhe shaminë në fyt, me ç’rast nga ngufatja kishte ndërruar jetë, ndërsa e pandehura kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja.

Lidhur me këtë, F.S po akuzohej për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par 1, pika 1.3 të Kodit Penal.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img