Site icon PrishtinaPress

Mbrojtja kërkon lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Të premten, mbrojtësit e të dënuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, avokatët Ahmet Tahiri dhe Ymer Beka kërkuan nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj të ndryshohet dhe i akuzuari të lirohet nga akuza.

Më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj në nëntor të 2015-tës.

Kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit kanë parashtruar ankesë Prokuroria e Apelit të cilët kanë propozuar që ndaj të akuzuarit të vërtetohet dënimi i shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Gëzim Kollqaku, Ahmet Tahiri dhe Ymer Beka kanë kërkuar që i mbrojturi i tyre të lirohet nga akuza.

Këto ankesa u shqyrtuan të premtën nga kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit i përbërë nga gjykatësit Aferdita Bytyqi, Xhevdet Abazi dhe Tomislav Petroviq.

Prokurori i Apelit, Arian Gashi, ka deklaruar se mbesin pranë propozimit të prokurorisë me të cilën kanë propozuar që të refuzohet ankesa e avokatëve dhe aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet.

Ndërkaq, avokati Ahmet Tahiri ka propozuar që i akuzuari të lirohet, me arsyetimin se i njëjti nuk është kryesi i veprës penale, dhe nuk në asnjë fazë të procedurës nuk është vërtetuar.

“Fillimisht dua të potencoj që në këtë procedurë penale janë dëgjuar mbi 24 dëshmitarë në të gjitha fazat dhe asnjëri prej këtyre dëshmitarëve nuk e konfirmon që ditën kritike tani e ndjera Donjeta Pajazitaj të ketë hipur në veturën e të pandehurit Naser”, deklaroi Tahiri.

Tutje, Tahiri tha se prokurorja e rastit gjatë bisedës me kolegun e tij Gëzim Kollqaku dhe vëllain e të akuzuarit i është referuar me fjalët “unë e di se Naseri nuk e ka bërë këtë vepër, por Naseri e din kush e ka bë edhe vetëm le të ma shkruan emrin unë sot e lëshoj”.

Sipas avokatit Tahiri, prokuroria nuk ka qenë e interesuar për ta zbardhur këtë rast, këtë e dëshmojnë edhe mos veprimet ndaj disa dëshmive të dëshmitarëve.

“Dëshmitari Haki Pajazitaj, në dëshminë e tij në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në pyetjen e nënës së të ndjerës, i referohet që të mos i hyj më fell kësaj pune dhe çuditërisht prokuroria pas arrestimit të tij të njëjtin e liron pas disa orëve me një marrëveshja dhe dënim me gjobë”, tha Tahiri.

“Ky dëshmitar është vërtetuar në bazë të ekspertizës grafologjike dhe në bazë të kamerave të sigurisë që ka shkruar 4 letra në drejtim të Naser Pajazitaj, duke i drejtuar hetimet tek i pandehuri Naser, dhe as për këtë prokuroria nuk ka ndërmarr asnjë veprim ndaj tij. I njëjti posedon informacione se kush e ka kry, i referohet nënës së Donjetes mos hi më fell se del në gjetje dhe prokuroria nuk merret me këtë punë farë hiq” shtoi ai.

Tutje, Tahiri deklaroi se Gjykata Themelore në Ferizaj nuk ka analizuar listën e thirrjeve nga operatori “Ipko”, e cila do të vërtetonte se i njëjti në ditën kritike ka qenë kryesisht në fshatin Strellcë.

“Kjo gjykatë po ashtu nuk e analizon fare listën e thirrjeve nga operatori ekonomik ipko, me të cilën është vërtetuar se i pandehuri Naser në ditë kritike ka qenë kryesisht në fshatin Strellcë dhe jo tek  vendi i quajtur “Kroi i lajthisë”, aty ku është trupi i pajetë i të ndjerës”, tha Tahiru.

Në fund avokati Tahiri deklaroi se Gjykatës Themelore në Ferizaj nuk i ka bërë përshtypje parimi “In Dubio Pro Reo”, që faktet e dyshimta gjithmonë interpretohen në favor të akuzuarit dhe jo në dëm të tij.

Ndryshe, Naser Pajazitaj në mars të vitit 2018 me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë në mungesë të provave ishte liruar nga akuzat, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim. Gjykata Themelore në Pejë

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019 e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.

Por, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë.

Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj po akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohet se më parë e gjerë më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke , në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe gjerë më 23.05.2017, në fshatin Strellc i Ulët Komuna e Deçanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 me numër serik 120331141 dhe 2 karikator të zbrazet, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së.

Exit mobile version