Site icon PrishtinaPress

Mbrojtja e Thaçit kërkon nga trupi gjykues të tregojë se akuza në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe ka kërkuar nga trupi gjykues që tregojë se akuza në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh.

Kjo pasi që sipas tij, janë botuar disa artikuj rus e që janë pasqyruar në mediet evropiane se të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore janë marrë me trafikim të organeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Kehoe, kjo është false dhe se përderisa hetimi për trafikim ka përfunduar, dikush duhet të thotë që aktakuza nuk ka diçka që lidhet me trafikim të organeve.

Ai tha se nuk e di nëse rusët po përpiqen të ndikojnë në këtë trup gjykues, duke pretenduar se të akuzuarit janë përfshirë në këtë aktakuzë në trafikim të organeve, ndërsa theksoi se kjo nuk është e vërtetë.

Ndërkaq, çështja e dytë e diskutuar nga ai ishte lidhur me ndikimin në dëshmitarët, duke sqaruar se në disa artikuj është shënuar se Qeveria e Kosovës ka kontaktuar një person shqiptar në Gjermani, sipas të cilit është kërkuar t’i gjejë katër dëshmitarë katolikë që të dëshmojnë kundër Hashim Thaçit.

Sipas Keheo, është e kuptueshme që Zyra e Prokurorit të Specializuar të përdorë ndërmjetës, por kjo sipas tij është ndërhyrje në procesin e drejtësisë.

Këto çështje, i njëjti do i adresojë me shkrim në mënyrë që trupi gjykues të japë udhëzimet e nevojshme.

Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të me radhë në këtë çështje, me kodin 03879, dëshmia e të cilit pritet të zgjas 4 deri në 5 ditë.

Pyetjet nga ana e ZPS-së është duke i bërë prokurori Matt Halling, i cili për qëllime identiteti ka kërkuar që seanca të kalohet në sesion privat.

 

Exit mobile version