Në një shkresë drejtuar gjyqtarit paraprak të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se ky i fundit është i gatshëm të pranojë arrestin shtëpiak, si dhe ka përmendur edhe garancitë e ofruara nga shtetet e treta.
Mbrojtja ka konsideruar se nuk ka rrezik të arratisjes, rrezik të pengimit të procedurave e as rrezik të kryerjes së veprave penale.
Sipas mbrojtjes, edhe nëse gjyqtari paraprak do të konsideronte se Thaçi mund të përbënte rrezik në përputhje me nenin 41 (6) (b), një rrezik i tillë mund të eliminohej plotësisht me vendosjen e një regjimi të arrestit shtëpiak, i cili mund të përfshijë kushte shtesë, në rezidencën e Thaçit në Kosovë, në [REDAKTUAR].
“Mbrojtja pohon se një urdhër nga gjyqtari që urdhëron arrestin shtëpiak të z.Thaçi në Kosovë do të ishte i mjaftueshëm për të eliminuar çdo rrezik të identifikuar. Garancitë e dhëna nga Policia e Kosovës (PK) përbëjnë një element të ri, i cili më tej garanton lirimin e përkohshëm të z.Thaçi sipas kushteve të përcaktuara nga gjyqtari paraprak”, thuhet në këtë shkresë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, thuhet se pas një kërkese të gjyqtarit paraprak, më 26 tetor 2021, Policia e Kosovës dorëzoi një raport që konfirmonte detyrimin, kapacitetin dhe vullnetin e saj për të zbatuar, mbikëqyrur dhe zbatuar çdo kusht lirimi që do të vendosej nga gjyqtari në Kosovë, duke përfshirë, por pa u kufizuar arrest shtëpiak me kushte shtesë.
Gjithashtu thuhet se me kërkesë të mbrojtjes, PK-ja ka dorëzuar një vlerësim të sigurisë së PK-së të vendbanimit të Thaçit me qëllim të mbikëqyrjes dhe zbatimit të kushteve të përmendura në Raportin e PK-së.
“Në çdo rast, nëse kërkohet, z.Thaçi konfirmon se është i gatshëm të pranojë arrest shtëpiak në të gjitha kushtet e arsyeshme që do të konsiderohen të nevojshme nga gjyqtari paraprak, duke përfshirë edhe përtej kushteve standarde të arrestit shtëpiak, për të plotësuar çdo kërkesë apo shqetësim të ZPS-së dhe gjyqtarit paraprak”, thuhet në këtë shkresë.
Po ashtu thuhet se në këtë aspekt, ai është i gatshëm të heqë dorë nga çdo e drejtë kushtetuese që mund të cenohet nga kushtet e përcaktuara nga gjyqtari paraprak.
“Në alternativë, mbrojtja rithekson propozimin e saj që z.Thaçi të lirohet në territorin e [REDAKTUAR], sipas kushteve që i konsideron të nevojshme gjyqtari paraprak, në pajtim me nenin 41 (11) të Ligjit për DhSK-në dhe rregullin 56 (4) të Rregullores. Një masë e tillë, tashmë e zbatuar me sukses para gjykatave të tjera ndërkombëtare për ish-zyrtarët e lartë, është plotësisht e garantuar në rastin konkret”, thuhet tutje.
Sipas mbrojtjes, ata paraprakisht kanë dorëzuar garanci nga [REDAKTUAR], të cilat konfirmojnë vullnetin dhe kapacitetin e tyre për të akomoduar Thaçin sipas kushteve të përcaktuara nga PTJ.
“Qeveria e [REDAKTUAR] ka konfirmuar veçanërisht aftësinë e saj për të siguruar dhe monitoruar vendbanimin e z Thaçi në [REDAKTUAR] në baza ditore, në përputhje me kërkesat e DhSK-së”, thuhet në këtë shkresë.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.