Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon gjykimi kundër Pjetër Shalës, me intervistimin e dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Gjatë kësaj seance, mbrojtja e të akuzuarit po vazhdon parashtrimin e kundra-pyetjeve të saj, e cila me kërkesë po të saj ka vijuar të jetë e mbyllur për publikun.
Sipas avokatit Mohamed Hédi Aouini, iu nevojiten 15 minuta kohë për t’i parashtruar pyetjet e tyre.
“Vlerësojmë se do të na duhen 15 minuta, në mos më pak, varet se si do të jenë përgjigjet, do të mbyllim një dokument të diskutimit që kishim dje”, tha ai.
Pjetër Shala i cili po qëndron në paraburgim prej marsit të vitit 2021, po merr pjesë në seancë përmes video-lidhjes, raporton KP.
Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.