Site icon PrishtinaPress

Mbrojtja e Shalës sot parashtron kundra-pyetjet për ekspertin mjeko-ligjor

Pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë sot ka vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Në seancën e sotme në gjykatoren e Hagës mbrojtja e Shalës ka nisur parashtrimin e kundra-pyetjeve karshi dëshmitarit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili është eksperti mjeko-ligjor, Marek Gasior.

Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Muhamed Hedi Auini deklaroi se brenda një seance do t’i përfundojnë kundra-pyetjet e tyre karshi dëshmitarit të ZPS-së.

Përpara se të nisi mbrojtja e Shalës me pyetjet e saj, trupi gjykues mori dy urdhra gojor që kanë të bëjë me prova materiale. I pari urdhër gojor ishte për Zyrën Administrative për caktimin e një numri të një prove materiale e cila ishte kërkesë e ZPS-së.

Ndërsa, me urdhrin e dytë, trupi gjykues aprovoi kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës për të shtuar një material në listën e materialeve që do t’i bëjnë pastaj pyetjet karshi dëshmitarit të sotëm i cili është ekspert mjeko-ligjor.

“Duke qenë se nuk janë ngritur kundërshtime nga ZPS dhe mbrojtja e viktimave trupi gjykues e autorizon mbrojtjen që ta shtojë këtë material në listën e materialeve që do të përdorë gjatë kundra-pyetjeve që do ia bëjë sot dhe udhëzon mbrojtjen që ta ndryshojë listën e materialeve dhe ta përditësojë këtë listë”, tha ajo.

Eksperti mjeko-ligjor, Marek Gasior dëshminë e tij kundër Pjetër Shalës e ka nisur qysh javën e kaluar dhe pyetjet ndaj tij i kanë përfunduar Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja e viktimave.

Ndërsa, edhe këtë seancë të sotme, ish-pjesëtari i UÇK-së, i akuzuari Shala po e përcjell nga qendra e paraburgimit përmes video-lidhjes.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e Shalës, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Exit mobile version