Sikurse mbrojtja e Kadri Veselit, edhe mbrojtësit e Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit e Hashim Thaçit, përmes një parashtrese të përbashkët kanë kërkuar zgjatjen e afatit kohor për apelimin e vendimit mbi mocionet që sfidojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Në këtë parashtresë thuhet se më 22 korrik 2021, gjykatësi i procedurës paraprake nxori vendime për mocionet paraprake të paraqitura nga mbrojtja dhe se mbrojtja e Krasniqit e Thaçit synojnë të apelojnë vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake për mocionet paraprake që sfidojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Sipas mbrojtjes, në përputhje me rregullën 9 (5) (a) të Rregullave, paneli mund të zgjasë çdo afat kohor të përcaktuar nga Rregullat ose të caktuar nga Paneli, kur tregohet shkak i mirë.
“Prandaj, mbrojtja me anë të kësaj kërkon me respekt një zgjatje të kohës për të paraqitur ankesat e tyre kundër Vendimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake mbi mocionet paraprake të mbrojtjes që sfidon juridiksionin e Dhomave të Specializuara deri të Premten, 27 Gusht 2021.”, thuhet në shkresë.
Mbrojtja ka parashtruar se duke pasur parasysh rëndësinë dhe kompleksitetin e çështjeve të ngritura në vendimin e kundërshtuar dhe risinë e çështjeve të cilat nuk janë adresuar më parë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, koha shtesë do të ndihmonte mbrojtjen dhe prokurorinë për të siguruar parashtresat e nevojshme dhe të hollësishme për këto çështje.
Gjithashtu, thuhet se vendimi i kundërshtuar adreson një numër të konsiderueshëm të çështjeve jashtëzakonisht të komplikuara dhe të rëndësishme të cilat do të marrin kohë për të shqyrtuar, analizuar dhe, kur është e përshtatshme, për të ushtruar të drejtën e të Akuzuarve për të sfiduar.
“Përveç kësaj, pushimi veror i Gjykatës është planifikuar të fillojë në 24 korrik 2021 dhe të zgjasë deri në 15 gusht 2021. Duke pasur parasysh rrethanat e jashtëzakonshme të vitit të kaluar me pandeminë Covid, një periudhë e shkurtër ku afatet pezullohen efektivisht gjatë kësaj periudhe do të ndihmonte palët”, thuhet në shkresë.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.